Raportohet se zyrtarë kinezë po e diskutojnë shitjen e TikTok-ut në ShBA Elon Muskut - NACIONALE

Raportohet se zyrtarë kinezë po e diskutojnë shitjen e TikTok-ut në ShBA Elon Muskut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtarë kinezë janë në bisedime preliminare rreth opsionit të mundshëm që operacionet e rrjetit të famshëm TikTok në Shtetet e Bashkuara t’i shiten miliarderit amerikan, Elon Musk, nëse kompania kineze nuk do të arrinte që t’i shmangej një vendimi për ndalimin e operimit të saj, raportoi të hënën uebfaqja “Bloomberg”.

Zyrtarët nga Pekini parapëlqejnë që TikTok-u të mbetet në kontrollin e kompanisë amë, “Bytedance”, thuhet në raport, ku u cituan burime, raporton gazeta “The Guardian”.

Operacionet e TikTok-ut në ShBA do të mund të shiteshin ose përmes një procesi me konkurrencë, ose përmes një rregullimi nga qeveria, thuhet në raport, duke lënë të kuptohej se e ardhmja e aplikacionit nuk është më vetëm nën kontrollin e kompanisë “ByteDance”.

Qeveria kineze ka “aksione të arta” në “Bytedance”, gjë për të cilën disa anëtarë të Kongresit të ShBA-së kanë thënë se i jep qeverisë pushtet mbi TikTok-un.

Sipas njërit skenar, platforma X e Muskut do ta merrte kontrollin e operacioneve të TikTok-ut në ShBA dhe do ta drejtonte biznesin në mënyrë të përbashkët, thuhet në raport.

“Nuk mund të pritet që ne të komentojmë rreth një trillimi të pastër” – tha një zëdhënës i TikTok-ut, duke iu përgjigjur raportit.

Mbetet e paqartë se në çfarë niveli është kompania “Bytedance” e vetëdijshme për këto diskutime ose në çfarë niveli është përfshirja e Muskut ose e TikTok-ut, dhe nuk ka informacione për atë nëse “Bytedance”, TikTok-u dhe Musku janë angazhuar në ndonjë palë bisedime në lidhje me një marrëveshje të mundshme.

Elon Musk, rrjeti X dhe Ministria e Tregtisë se Kinës nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Javën e kaluar, Gjykata Supreme e ShBA-së u duk e prirë për të mbajtur në fuqi me të cilin do të bëhej e detyrueshme shitja ose ndalimi i TikTok-ut në ShBA nga 19 janari për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare përballë Kinës./Nacionale

Lajme të ngjashme