Raportohet se ShBA-ja po mundohet të organizojë një takim Trump – Netanyahu – Al Sharaa
Raportohet se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar për të organizuar një takim muajin e ardhshëm mes kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed Al Sharaa.
Sipas televizionit “Sky News Arabia”, në këtë takim do të merrte pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump, dhe takimi do të mbahej gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e ardhshëm, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Në raport më tej thuhet se emërimi i një përfaqësuesi të ri nga Siria në Kombet e Bashkuara mund të jetë tregues se takimi do të mbahet në margjina të Asamblesë së Përgjithshme.
Në maj të këtij viti, presidenti amerikan u takua në Arabinë Saudite me homologun sirian, të cilit i tha se kishte një “mundësi të jashtëzakonshme” dhe e përshkroi si “tërheqës, i fortë”.
Trumpi gjithashtu kishte thënë atë kohë se Uashingtoni ishte duke e eksploruar normalizimin e marrëdhënieve me Damaskun, një ditë pasi kishte njoftuar se të gjitha sanksionet ndaj Sirisë do të hiqeshin.
Ky ishte takimi i parë mes një presidenti amerikan e sirian në 25 vjet dhe shtyllë kyçe për riintegrimin e Sirisë në arenën ndërkombëtare pas rrëzimit të regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në fund të vitit të kaluar, raportoi në maj gazeta “The Guardian”.
Pas takimit, Trumpi u kishte thënë gazetarëve në aeroplanin presidencial “Air Force One” se Al Sharaa është “djalë i ri, tërheqës, djalë i fortë, me të kaluar të fortë, shumë të fortë, luftëtar”.
Më vonë, presidenti sirian e kishte çmuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për heqjen e sanksioneve ndaj vendit të tij, duke e përshkruar si “vendim historik e të guximshëm, i cili e lehtëson vuajtjen e popullit dhe kontribuon në rilindjen e tij si dhe i vë themelet për stabilitet në rajon”./Nacionale