Raportohet se Rusia e ka larguar gjeneralin përgjegjës për operacionet në Siri
Blogerët rusë të luftës raportuan të dielën se Moska e ka shkarkuar Sergei Kisel-in, gjenerali që ishte i angazhuar për drejtimin e forcave të saj në Siri, pasi kryengritësit hynë në qytetin Aleppo në sfidën më të madhe ndaj presidentit Bashar al-Assad në disa vjet.
Rusia është aleate kyçe e Assadit. Largimi i Kiselit u raportua nga kanali “Rybar” në rrjetin “Telegram”, që është i afërt me Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë, dhe nga blogu “Voenny Osvedomitel”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Agjencia “Reuters” ka kërkuar koment nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia ka bërë disa ndryshime në rangjet ushtarake që nuk janë njoftuar publikisht.
Në raportime të pakonfirmuara thuhet se Kiseli do të zëvendësohet me Gjeneral Kolonel Alexander Chaiko.
Blogjet ushtarake ishin kritikuese ndaj performancës së Kiselit, i cili më parë e ka komanduar Ushtrinë e Parë të Tankeve të Gardave në rajonin Kharkiv të Ukrainës, ku forcat ruse ishin dëbuar përmes një kundërsulmi të shpejtë të trupave ukrainase në fund të vitit 2022.
“Mësa duket, ai duhej t’i zbulonte talentet e tij të fshehura në Siri, por diçka doli në rrugë përsëri”, shkroi blogu “Voenny Osvedomitel”.
Kanali “Rybar” spekuloi se Rusia mund ta ngarkojë me detyrë edhe Sergei Surovikin-in, gjeneral që e ka marrë nofkën “Gjeneral Armagedoni” për shkak të qasjes së pamëshirshme në Siri.
Avancimi i kryengritësve në Siri ishte i pari që nga marsi i vitit 2020, kur Rusia dhe Turqia, e cila i përkrah rebelët, u pajtuan për armëpushim që kishte çuar në ndërprerjen e veprimeve ushtarake në veriperëndim të Sirisë./Nacionale