Raportohet se një kompani amerikane e ka modeluar zhvendosjen e banorëve të Gazës në Somali dhe Somaliland
Kompania konsultuese me bazë në ShBA, “Boston Consulting Group”, e ka modeluar transferimin e palestinezëve nga Gaza në Somali dhe Somaliland, i kanë thënë gazetës “Financial Times” disa persona të afërt me këto punime.
Sipas raportit, konsulentët e kësaj kompanie e zhvilluan modelin për një grup të biznesmenëve izraelitë që ishin duke zhvilluar plane për rindërtimin e Gazës pas përfundimit të luftës, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Në model përfshihej një prezantim me “slide” ku parashikohej se 25 për qind e banorëve të Gazës do të duan që të largohen nga enklava, ndërsa shumica nuk do të donin të ktheheshin.
Pikërisht kompania “Boston Consulting Group” ka ofruar ndihmë për themelimin e Fondacionit Humanitar të Gazës, i cili mbështetet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, por që është kontestuar nga agjenci të tjera të ndihmave. Kjo organizatë i menaxhon pikat e shpërndarjes së ndihmave në Gaza.
Presidenti amerikan, Donald Trump, këtë vit ka përmendur plane për zhvendosjen e banorëve të Gazës në vende të treta, ndërsa ka premtuar se enklava do të shndërrohej në një “rivierë të Lindjes së Mesme”.
Edhe pse nuk është bërë ndonjë progres i dukshëm në lidhje me këto plane, ato kanë marrë përkrahje nga disa ministra izraelitë, por janë dënuar nga bota arabe dhe vendet perëndimore.