Raportohet se një anije greke është goditur me raketë në Detin e Kuq
Një anije greke është goditur me një raketë në Detin e Kuq, afër bregdetit të Jemenit, sipas kompanisë së sigurisë detare, “Ambrey”.
Mendohet se ky është incidenti i tretë që përfshin një anije transportuese brenda 24 orëve. Thuhet se anija quhet “Zografia”, raporton televizioni BBC.
Incidenti i së martës vjen pas njoftimit të ushtrisë amerikane për konfiskimin e armëve të dhuruara nga Irani e të destinuara për rebelët Houthi gjatë një operacioni javën e kaluar.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë goditur më shumë caqe në zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi në Jemen.
Një zyrtar i tha televizionit CBS se ShBA-ja kreu sulme të reja ndaj pozicioneve të rebelëve Houthi gjatë natës.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe nisën një valë të sulmeve ajrore kundër caqeve të këtyre rebelëve më 11 janar pas sulmeve të grupit të përkrahur nga Irani ndaj anijeve që po lundronin nëpër Detin e Kuq.
Rebelët janë zotuar për hakmarrje dhe të dielën, ShBA-ja tha se kishte rrëzuar një raketë të hedhur drejt njërës prej luftanijeve të saj nga një zonë e Houthive në Jemen.
Grupi Houthi thotë se është duke i vënë në shënjestër anijet me flamuj izraelitë, që janë në pronësi të Izraelit, që menaxhohen nga ky shtet ose që janë nisur drejt porteve të tij. Megjithatë, shumë prej tyre nuk kanë lidhje me Izraelin.
Deti i Kuq e lidh Oqeanin Indian me Detin Mesdhe përmes Kanalit të Suezit, duke shërbyer si rrugë e rëndësishme dhe më e shkurtër e transportit detar mes Azisë e Evropës. Megjithatë, disa kompani kanë njoftuar se do ta ndryshojnë vijën e lundrimit për shkak të rrezikut nga sulmet, duke ndjekur rrugë më të gjatë – përreth Afrikës – për të arritur në Evropë.