Raportohet se në barkën e përmbytur afër Greqisë ndodheshin rreth 100 fëmijë
Të mbijetuarit nga përmbytja e një barke peshkimi në jug të Greqisë thonë se deri në 100 fëmijë mund të kenë qenë në mjetin e lundrimit.
Të paktën 78 persona tashmë janë konfirmuar të vdekur në njërën prej fatkeqësive më të rënda me emigrantë në Evropë.
Megjithatë, shumë të tjerë mund të jenë ende të zhdukur në det dhe raportohet se në barkën e madhe mund të ndodheshin deri në 750 njerëz, raporton televizioni BBC.
Roja bregdetare greke është kritikuar që nuk kishte ndërhyrë më herët, por autoritetet thonë se ofertat e tyre për ndihmë ishin refuzuar.
Ekipet e shpëtimit ende po e patrullojnë ujin afër Greqisë për të kërkuar të mbijetuar të mundshëm, edhe pse shpresa për të gjetur njerëz të gjallë po venitet.
Manolis Makaris, mjek në spitalin e Kalamatas, u tha gazetarëve lokalë se pasi ia kishte huazuar telefonin një të mbijetuari që të kontaktonte me të afërmit e tij, burri kishte folur për një numër të madh të fëmijëve që ndodheshin në kupenë e anijes, me gjasë deri në 100.
BBC-ja nuk ka mundur ta vërtetojë këtë numër të fëmijëve, por zëdhënësi qeveritar, Ilias Siakantaris, tha se ka raportime të pakonfirmuara se në barkë ndodheshin deri në 750 njerëz.
Aktivistja Nawal Soufi ishte e para që e ngriti alarmin, pasi u kontaktua përmes telefonit në barkë të martën në mëngjes. Edhe ajo beson se në barkë ndodheshin rreth 750 njerëz.
Barka u përmbyt rreth 80 kilometra në jugperëndim të Pylosit pas orës 2 të mëngjesit të mërkurën, sipas rojës bregdetare greke.
