Greqia shpall tri ditë zie pas vdekjes së 79 emigrantëve nga përmbytja e barkës - NACIONALE

Greqia shpall tri ditë zie pas vdekjes së 79 emigrantëve nga përmbytja e barkës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria në detyrë e Greqisë ka shpallur tri ditë zie pas vdekjes së të paktën 79 emigrantëve dhe dyshimeve për zhdukjen e qindra të tjerëve nga fundosja e një barke.

Viktimat, pothuajse të gjithë burra nga Afganistani dhe Pakistani, u mbytën në ujë, pasi barka e madhe me të cilën po lundronin u fundos jë jug të Peloponezit, raporton gazeta “The Guardian”.

Nuk qe e qartë se sa njerëz janë zhdukur nga përmbytja e barkës që ishte nisur nga pjesa lindore e Libisë për në Itali.

“Ka pasur rritje dramatike të numrit të viktimave, që është duke u shtuar vazhdimisht. Është përhapur spekulimi se deri në 600 njerëz ishin në barkë, por kjo nuk është konfirmuar. Anija është nën ujë. Është përmbytur”- tha një zyrtar grek.

Rreth 100 pasagjerë u shpëtuan deri të mërkurën pasdite, shtoi ai.

Ioannis Zafiropoulos, nënkryetar i qytetit Kalamata, ku u dërguan të mbijetuarit, tha se të dhënat tregojnë se në barkë ndodheshin mbi 500 persona. Një organizatë bamirëse e shpëtimit tha se beson që në barkë ndodheshin rreth 750 persona, ndërsa agjencia e OKB-së për migrim përmendi një numër prej 400 pasagjerësh.

Barkat e rojës bregdetare, një luftanije e forcave detare, aeroplanët ushtarakë të transportit dhe një helikopter i forcave ajrore e disa mjete private po marrin pjesë në operacionin e kërkimit për të mbijetuar të mundshëm. Përpjekjet fillimisht u penguan nga era e fortë.

Autoritetet greke dhe zyrtarët e agjencisë kufitare evropiane, Frontex, u njoftuan për barkën në vështirësi të martën vonë. Thirrjet e vazhdueshme ndaj barkës për t’i ofruar ndihmë u refuzuan, thuhet në një deklaratë të rojës bregdetare.

Ministria e Migracionit e Greqisë i fajësoi rrjetet ndërkombëtare të trafikimit për rrezikimin e jetës së emigrantëve, ndërsa komisionari i lartë i OKB-së për refugjatë, Filippo Grandi, u bëri thirrje qeverive që të punojnë së bashku për të krijuar rrugë të sigurta për njerëzit që ikin nga lufta dhe varfëria.

Lajme të ngjashme