Tragjedi afër Greqisë: Të paktën 59 emigrantë vdesin nga përmbytja e një barke - NACIONALE

Tragjedi afër Greqisë: Të paktën 59 emigrantë vdesin nga përmbytja e një barke

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 59 emigrantë u mbytën në ujë të mërkurën herët dhe dyshohet se disa të tjerë janë zhdukur, kur barka e tyre u përmbyt afër Greqisë, tha roja bregdetare greke.

Deri në mesditë, 104 emigrantë u shpëtuan, por mbetet e paqartë se sa persona ndodheshin në barkë, thanë autoritetet. Ky është rasti më vdekjeprurës i fundosjes së barkës në Greqi deri më tani këtë vit, raporton agjencia “Reuters”.

Roja bregdetare tha se barka, e cila ishte nisur drejt Italisë, u vërejt në ujërat ndërkombëtare të martën vonë nga një aeroplan i agjencisë Frontex të BE-së dhe nga dy barka afër saj, rreth 80 kilometra në jugperëndim të qytezës Pylos në jug të Greqisë.

Sipas rojës bregdetare, drejtuesit e barkës e kishin refuzuar asistencën e ofruar nga autoritetet greke të martën vonë. Disa orë më vonë, barka u fundos, duke nxitur një operacion kërkim-shpëtimi.

Transmetuesi shtetëror ERT tha se barka ishte nisur nga qyteza Tobruk në Libi dhe se shumica e personave në barkë ishin burra të rinj në të njëzetat. Kombësia e tyre dhe vendi prej nga ishte nisur barka nuk u konfirmuan menjëherë nga autoritetet greke.

Autoritetet thanë se të mbijetuarit janë dërguar në qytezën Kalamata.

Greqia është njëra ndër rrugët kryesore për refugjatët dhe emigrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika për të shkuar drejt vendeve të tjera evropiane. Shumica arrijnë në ishujt grekë nga Turqia fqinje.

Lajme të ngjashme