Raportohet se ka nisur referendumi për bashkim me Rusinë në katër provinca të Ukrainës
Disa medie ruse kanë raportuar se ka filluar votimi në të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë në katër provinca të Ukrainës: Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia.
Kryetari i Luhanskut, Sergey Haidai, pretendoi në rrjete sociale se forcat ruse po i detyrojnë banorët që të votojnë dhe po ua ndalojnë largimin nga zona, raporton gazeta “The Guardian”.
“Sipas informatave në dispozicion, pushtuesit po krijojnë grupe të armatosura për të shkuar rreth shtëpive dhe për t’i detyruar njerëzit që të marrin pjesë në të ashtuquajturin “referendum”, tha ai.
Në disa biznese, sipas tij, “ata që nuk marrin pjesë në votim, do të shkarkohen automatikisht nga vendet e punës”. Në pjesë të tjera, “autoritetet ia ndaluan popullsisë lokale largimin nga qyteti mes datave 23 e 27 shtator”, shtoi zyrtari ukrainas.
Ndërkohë sekretari i Këshillit të Qytetit në Zaporizhia, Anatoly Kurtev, tha të premten se “janë intensifikuar përgatitjet dhe mbajtja e të ashtuquajturit referendum”.
“Banorëve lokalë u premtohen shpërblime me të holla dhe pajisje shtëpiake për ofrimin e të dhënave të pasaportës dhe marrjen e shtetësisë së Federatës Ruse”, tha ai.
Gazeta “The Guardian” nuk ka arritur që t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur këto raportime./Nacionale