Raportohet se Izraeli ka vrarë katër pjesëtarë të Rojave Revolucionare të Iranit në Siri - NACIONALE

Raportohet se Izraeli ka vrarë katër pjesëtarë të Rojave Revolucionare të Iranit në Siri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një sulm ajror izraelit të shtunën në kryeqytetin sirian, Damask, la të vrarë katër anëtarë të Rojave Revolucionare të Iranit, përfshirë shefin e njësisë së informimit të kësaj force në Siri, i tha agjencisë “Reuters” një burim në aleancën rajonale pro Sirisë.

Izraeli për një kohë të gjatë ka zbatuar fushatë bombardimesh kundër caqeve të ndërlidhura me Iranin në Siri, por ka kaluar në sulme më vdekjeprurëse pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, raporton agjencia “Reuters”.

Mediat shtetërore izraelite thanë se një ndërtesë në lagjen Mazzeh të Damaskut ishte në cak të sulmit me gjasë nga Izraeli, pa dhënë hollësi të tjera.

Burimi i sigurisë, pjesë e një rrjeti të grupeve të afërta me qeverinë siriane dhe aleatin e saj të rëndësishëm, Iranin, tha se ndërtesa shumëkatëshe po përdorej nga këshilltarë iranianë që e përkrahin qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe se ajo u bë krejt rrafsh nga “raketat izraelite me cak preciz”.

Televizioni iranian i menaxhuar nga shteti, “Press TV”, tha se dy këshilltarë ushtarakë të Gardave Iraniane u vranë nga sulmi izraelit në Damask.

Për këtë sulm nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm nga Izraeli.

Essam Al-Amin, drejtor i spitalit “Al-Mowasat” në Damask, i tha agjencisë “Reuters” se aty ishin pranuar një kufomë dhe tre persona të plagosur, përfshirë një grua, pas sulmit të së shtunës.

Një zëdhënës i Xhihadit Islamik Palestinez i tha agjencisë “Reuters” se asnjë anëtar i këtij grupi nuk është plagosur nga sulmi, pas raportimeve se disa prej tyre ndodheshin në ndërtesën e bombarduar.

Në dhjetor, Izraeli vrau dy anëtarë të Rojave Revolucionare në Damask, ndërsa me një sulm tjetër më 25 dhjetor vrau një këshilltar të lartë të kësaj force, i cili po e mbikëqyrte bashkërendimin ushtarak mes Sirisë e Iranit.

Lajme të ngjashme