Raportohet se Irani po kërkon ndryshim të vendit dhe ngushtim të temave në bisedimet me ShBA-në - NACIONALE

Raportohet se Irani po kërkon ndryshim të vendit dhe ngushtim të temave në bisedimet me ShBA-në

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Irani po kërkon që bisedimet me Shtetet e Bashkuara këtë javë të mbahen në Oman, e jo në Turqi, dhe që fusha e diskutimeve të ngushtohet në vetëm dy palë e vetëm për çështje bërthamore, tha të martën një burim rajonal, duke hedhur dyshime mbi atë nëse takimi do të mbahet siç është planifikuar.

Përpjekja e Iranit për ta ndryshuar vendin e bisedimeve dhe agjendën e tyre, tani për tani e caktuar për të premten në Stamboll, vjen në kohën e tensioneve të larta, kur Shtetet e Bashkuara kanë grumbulluar forca në Lindjen e Mesme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ata duan që ta ndryshojnë formatin, duan ta ndryshojnë fushën [e diskutimeve]” – tha diplomati rajonal që kishte njohuri rreth kërkesave të Iranit.

“Duan që të diskutojnë vetëm për dosjen bërthamore me amerikanët, ndërsa ShBA-ja dëshiron që të përfshirë tema të tjera si raketat [balistike] dhe aktivitetet e grupeve prokura të Iranit në rajon” – shtoi ai.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i tha televizionit “Fox News” të martën se bisedimet me Iranin ende ishin të caktuara për t’u mbajtur më vonë këtë javë.

Një burim i afërt me situatën tha të martën se dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, pritet të marrë pjesë në bisedime, bashkë me emisarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araqchi.

Në këto bisedime gjithashtu pritej të merrnin pjesë ministra nga disa shtete të tjera.

Një burim diplomatik iranian tha më herët se pikëpamja e Teheranit për bisedimet nuk është as optimiste, as pesimiste, duke shtuar se kapacitetet mbrojtëse të Iranit janë të panegociueshme dhe se vendi është i gatshëm për çfarëdo skenari./Nacionale

Lajme të ngjashme