Raportohet se hakerët i kanë publikuar adresat elektronike të mbi 200 milionë përdoruesve të Twitter-it
Një hulumtues i sigurisë ka thënë se hakerët i kanë vjedhur adresat elektronike të më shumë se 200 milionë përdoruesve të rrjetit “Twitter” dhe i kanë publikuar ato në një forum të hakerëve në internet.
Kjo shkelje “fatkeqësisht, do të çojë në shumë hakim, mashtrim e publikim të shënjestruar të të dhënave”- tha Alon Gal, bashkëthemelues i kompanisë vëzhguese të sigurisë kibernetike izraelite, “Hudson Rock”. “Kjo është rrjedhja më e rëndësishme që kam parë ndonjëherë”- shtoi ai.
Kompania “Twitter” nuk e ka komentuar këtë raportim, të cilin fillimisht Gal-i shkroi në rrjete sociale më 24 dhjetor, as nuk u është përgjigjur pyetjeve për këtë rrjedhje që nga ajo datë. Nuk është e qartë se çfarë veprimesh ka ndërmarrë kompania për ta hetuar ose për ta rregulluar këtë problem.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur të vërtetojë nëse të dhënat në forum ishin origjinale ose nëse ato kanë ardhur nga “Twitter”-i. Pamje nga forumi i hakerëve, ku të mërkurën u shfaqën të dhënat, kanë qarkulluar në internet.
Troy Hunt, themelues i faqes për njoftime rreth keqpërdorimit të të dhënave, “Have I been Pwned”, i ka shikuar të dhënat që kanë rrjedhur dhe ka thënë se kjo gjë duket “goxha shumë ajo që është përshkruar”.
Nuk ka shenja për identitetin ose vendndodhjen e hakerit ose të hakerëve që qëndrojnë prapa zbulimit të të dhënave. Ngjarja mund të ketë ndodhur që në vitin 2021, para se miliarderi Elon Musk ta blinte kompaninë vitin e kaluar.
Pretendimet në lidhje me madhësinë dhe nivelin e rrjedhjes fillimisht dallonin. Në dhjetor thuhej se 400 milionë adresa elektronike dhe numra të telefonit janë vjedhur.
Një rrjedhje e madhe e të dhënave do të mund ta siguronte interesimin e rregullatorëve në të dyja anët e Atlantikut. Komisioni për mbrojtjen e të dhënave në Irlandë, ku “Twitter”-i e ka selinë qendrore për Evropë, dhe Komisioni Federal i Tregtisë i ShBA-së kanë qenë duke e vëzhguar kompaninë e miliarderit amerikan për respektimin e rregullave evropiane për mbrojtjen e të dhënave dhe një urdhër amerikan për marrjen e pëlqimit.

