Musk-u po e udhëheq Twitter-in si diktatorët shtetet e veta
Të enjten, pronësia e Elon Musk-ut ndaj Twitter-it hyri në një fazë të re të tmerrshme, kur ai filloi ta përdorte fuqinë e tij për ta censuruar shtypin. Llogaritë në Twitter të disa gazetarëve që e kanë mbuluar Musk-un në mënyrë kritike rishtazi – me fjalë të tjera, që e kanë bërë punën e vet – u pezulluan.
Përmes shkrimeve në Twitter, Musk-u i akuzoi gazetarët për shkelje të politikës së platformës kundër publikimit të të dhënave private në internet përmes shpërndarjes së vendndodhjes së tij “të saktë e në kohë reale”. Por asnjëri nga reporterët e dëbuar – përfshirë Donie O’Sulliva-in e CNN-së e Drew Harwell-in e “The Washington Post”-it – nuk u duk se kanë bërë ashtu. Musk-u dhe Twitter-i nuk iu përgjigjën kërkesës së CNN-së për koment.
Nëse nuk do të ishte e qartë më parë, veprimet e fundit bëjnë të qartë se Musk-u synon që ta udhëheqë kompaninë e tij ashtu si diktatorët shtetet e tyre: duke marrë vendime që u shërbejnë interesave të tij personale e jo publikut, dhe në mënyrë kapriçioze t’i heqë qafe njerëzit që i dalin në rrugë. Për këtë arsye, punëtorët e teknologjisë dhe gazetarët që e kanë humbur punën në javët e fundit, duhet të bëhen bashkë për të krijuar rrjete sociale jofitimprurëse të dizajnuara për t’i shërbyer interesit të publikut.
Me vite, aq shumë njerëz përreth botës janë mbështetur në Twitter për të funksionuar si një shesh qyteti – hapësirë për njerëzit që të debatojnë për çështje haptas. Natyrisht, vetëm 23 për qind e amerikanëve janë në Twitter dhe nga ata që e përdorin platformën, 25 për qind e përdoruesve që publikojnë më shumë shkrime, prodhojnë 97 për qind të materialeve të publikuara, sipas Qendrës për Hulumtime “Pew”. Prapëseprapë bisedat që ndodhin në Twitter duket se ndikojnë shumë në atë për të cilën bisedojnë gazetarët dhe të tjerët jashtë internetit, prandaj këta përdorues kanë ndikim jashtëzakonisht të madh në debatin publik.
Por të kujtojmë se muajin e kaluar, para se këta gazetarë të dëboheshin nga platforma, Musk-u – i cili e përshkruan veten si absolutist të fjalës së lirë – sugjeroi se ai mund t’i padisë aktivistët për të cilët beson se e kanë shkaktuar bojkotimin e Twitter-it nga reklamuesit. Nëse përdoruesit nuk mund t’i mbajë përgjegjës ata që janë në pushtet, atëherë nuk mund të kenë debate për rregullimin e problemeve me shoqërinë – përfshirë, natyrisht, problemet e krijuara nga vetë platformat në të cilat ata i zhvillojnë ato debate.
Një shesh i shëndoshë qyteti do të duhej, gjithashtu, të ishte vend ku njerëzit mund të gjejnë informata të besueshme. Por hulumtuesit në Universitetin e Tufts-it rishtazi zbuluan se shkrimet në Twitter që i kundërshtonin urrejtjen e keqinformimin, ishin “një rend nivelesh më të mëdha” në Twitter para se Musk-u ta merrte kontrollin.
Twitter-i është, gjithashtu, platformë jetike për gazetarët e rëndomtë që ta shpërndajnë raportimin e tyre për çështjet që ndikojnë në mirëqenien e njerëzve në komunitetet e tyre – sidomos pasi shumë tashmë punojnë për pak para, sepse dollarët e reklamave janë zhvendosur nga gazetaria lokale në platformat e internetit. Prandaj mos gaboni: fakti që gazetarët thjesht mund të shkelmohen nga platforma, nëse i shkaktojnë pakënaqësi Musk-ut, është rrezik për të gjithë ne.
Pezullimi i llogarive erdhi pak pas njoftimit të Twitter-it të hënën e kaluar se do ta shpërbëjë Këshillin e Besimit dhe Sigurisë – grup i ekspertëve të jashtëm që e kanë këshilluar kompaninë për çështje si të drejtat e njeriut, shfrytëzimi seksual i fëmijëve dhe shëndeti mendor.
Është e qartë se nuk mund të mbështetemi në Twitter-in e Musk-ut për të ofruar një forum të sigurt e të hapur. Kemi nevojë për rrjete të reja e jofitimprurëse sociale, të udhëhequra nga borde që janë përgjegjëse për shqyrtimin e interesit të publikut, kur merren vendime kritike për gjërat si kontrollimi i përmbajtjes dhe standardet për komunitetin. Dhe shumë nga njerëzit që i kanë këto shkathtësi, sapo janë larguar nga puna. Përpos largimit masiv nga Twitter-i që nga marrja e kontrollit nga Musk-u, ka pasur largim të punëtorëve nga puna në një numër kompanish të teknologjisë dhe gazetarisë rishtazi, përfshirë Facebook-un dhe CNN-në, të tjera duke ardhur edhe në “The Washington Post”. Disa nga këta profesionistë duhet të punojnë së bashku për të krijuar platforma të reja sociale të hartuara për ta ofruar sallën vërtet të hapur që na nevojitet në mënyrë aq të dëshpërueshme.
Lëvizjet e fundit të pushtetit të Musk-ut nuk janë asgjë më pak se të rrezikshme. Punëtorët e teknologjisë e të gazetarisë, të mbetur rishtazi pa punë, duhet t’i marrin ato si thirrje për bashkim për të krijuar hapësira të reja, më të shëndosha në internet. Nuk kemi asgjë për të humbur përpos varësisë sonë nga një car i ndryshueshëm e egoist që t’i vendosë kushtet e debateve tona publike.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli