BE kërcënon Elon Musk-un me sanksione - NACIONALE

BE kërcënon Elon Musk-un me sanksione

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Bashkimi Evropian ka kërcënuar me sanksione pronarin e Twitter, Elon Musk, pasi disa gazetarëve që ndiqnin kompaninë iu pezulluan papritmas profilet e tyre.

Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Komisionerja për Vlerat dhe Transparencën Vera Jourova pohon se Akti i Shërbimeve Dixhitale kërkon respektimin e lirisë së medias.

"Elon Musk duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë. Ka vija të kuqe dhe sanksionet do të vijnë së shpejti. Lajmi për pezullimin arbitrar të gazetarëve në Twitter është shqetësues. Akti i Shërbimeve Dixhitale të BE-së kërkon respektimin e lirisë së medias dhe të drejtave themelore, të cilat përforcohen më tej me Aktin tonë për Lirinë e Medias”, ka shkruar Jourova.

"Të njëjtat rregulla vlejnë për të gjithë"

Musk njoftoi se profilet morën një pezullim të përkohshëm shtatë-ditor për doxxing (postimi i informacionit privat për individët në internet). "Të njëjtat rregulla doksimi vlejnë për gazetarët si për të gjithë të tjerët," shkroi multimiliarderi amerikan në Twitter, raporton BBC.

Një zëdhënëse e Twitter tha se ndalimi lidhej me ndarjen e të dhënave të vendndodhjes. Kujtojmë se Musk mori kontrollin e Twitter në tetor në një transaksion me vlerë 44 miliardë dollarë. Një zëdhënës i New York Times i quajti pezullimet "të dyshimta dhe për të ardhur keq".

Sanksionet e BE-së kundër Twitter-it mund të zbatohen sipas Aktit të ri të Shërbimeve Dixhitale, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare, por që pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. Sipas propozimit të ligjit të ri, Komisioni Evropian do të mund të vendosë gjoba deri në 6% të xhiros globale të kompanisë. /Nacionale/

Lajme të ngjashme