Raportohet se Greqia do të blejë dronë kamikazë amerikanë, “Switchblade” - NACIONALE

Raportohet se Greqia do të blejë dronë kamikazë amerikanë, “Switchblade”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Greqia planifikon që të blejë dronë të tipit “Switchblade” nga Shtetet e Bashkuara për t’i fuqizuar forcat e armatosura, përderisa vendi po rimëkëmbet nga kriza njëdekadëshe e borxhit, thanë të mërkurën dy burime.

Athina ka hartuar një plan 10-vjeçar shumëmiliardësh për blerje të armëve, ku përfshihen deri në 40 aeroplanë luftarakë të tipit F-35 nga Shtetet e Bashkuara dhe tri fregata nga Franca, raporton agjencia “Reuters”.

Dronët “Switchblade”, që prodhohen nga kompania “AeroVironment”, fluturojnë deri te caku dhe shpërthejnë. Ky lloj ka fituar vëmendje për shkak se ushtria ukrainase po i përdor ata për t’i sulmuar trupat ruse.

“Ne e kemi përzgjedhur Switchblade-n nga ShBA-ja” – i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar grek me njohuri për çështjen. Burimi nuk saktësoi se sa dronë të tillë do të blejë Greqia.

Një zyrtar tjetër tha se kostoja do të jetë 75,2 milionë euro. Burimi tha se komandantët e Shtabit të Përgjithshëm e kanë miratuar blerjen e dy llojeve të dronit “Switchblade” me rreze deri në 20, përkatësisht 40 kilometra.

Ky furnizim do t’i plotësojë raketat kundërtanke “Spike”, për të cilat Athina është pajtuar për t’i blerë nga Izraeli dhe planifikon që t’i dërgojë në ishujt e vet në Egje. Athina gjithashtu planifikon që t’i prodhojë sistemet e veta të dronëve dhe kundër dronëve.

Greqia dhe Turqia, aleate të NATO-s, për një kohë të gjatë kanë pasur mosmarrëveshje për çështje si kufiri detar, burimet e energjisë, fluturimet mbi Egje dhe Qipron e ndarë etnikisht.

Blerja e dronëve “Switchblade” do të duhej të miratohej edhe nga organi më i lartë grek për çështje të jashtme dhe të mbrojtjes, KYSEA.

Lajme të ngjashme