Raportohet se 12 persona u mbytën në ujë duke i ndjekur ndihmat që ranë në det në Gaza - NACIONALE

Raportohet se 12 persona u mbytën në ujë duke i ndjekur ndihmat që ranë në det në Gaza

4 javë më parë

nga NACIONALE

Zyra mediale e qeverisë së Hamasit në Gaza thotë se 18 persona kanë vdekur gjatë përpjekjeve për të kapur ndihma shumë të nevojshme që ishin hedhur nga ajri në veri të Gazës.

Dymbëdhjetë persona u mbytën në ujë, kur u futën në det për të marrë pako ushqimore, ndërsa gjashtë të tjerë u shtypën gjatë tollovisë, kur pakot me ndihma u lëshuan në tokë, thuhet në deklaratë, raporton televizioni BBC.

Autoritetet në Gaza bënë thirrje për “ndalje të menjëhershme” të hedhjes së ndihmave nga ajri, duke i quajtur ato “fyese, të gabuara, jo të duhura dhe të padobishme”.

Në një video të siguruar nga agjencia “Reuters” shihen palestinezë duke vrapuar në bregdet, pasi ndihmat ranë në plazh afër qytezës Beit Lahia të hënën.

Në pamje shihen njerëz duke vrapuar, përderisa dhjetëra pako me parashuta lëshohen afër bregdetit.

Izraeli, që është në presion për ta lejuar futjen e më shumë ndihmave në Gaza përmes transportit tokësor, tha se e lehtësoi hedhjen nga ajri të 159 pakove njëtonëshe të ndihmave në veri të Gazës të hënën.

Shtetet e Bashkuara thonë se dy aeroplanë transportues të tipit C-17 hodhën 46 mijë porcione të gatshme ushqimore në veri të Gazës të hënën, ndërsa Britania e Madhe thotë se një aeroplan i saj ka hedhur 10 tonë ndihma me ujë, oriz, vaj ushqimor, miell, produkte në konserva dhe ushqim për foshnja.

Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se ndihmat nga ajri nuk mund ta plotësojnë nevojën në rritje për ushqim dhe kjo strategji ka nxitur diskutime të konsiderueshme.

Lajme të ngjashme