Raportohet për tre të vrarë nga zjarri izraelit në Gaza, testohet më tej armëpushimi - NACIONALE

Raportohet për tre të vrarë nga zjarri izraelit në Gaza, testohet më tej armëpushimi

1 javë më parë

nga NACIONALE

Tre palestinezë u vranë të hënën nga zjarri i forcave izraelite në qytetin Rafah të Rripit të Gazës, që ende mbetet nën kontrollin izraelit, sipas autoriteteve shëndetësore lokale, duke e testuar edhe më tutje armëpushimin e brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë të lëshuar më herët të hënën, ushtria izraelite tha se forcat e saj identifikuan “terroristë” që e kapërcyen vijën e verdhë, e cila i shënon zonat që ushtria ende i ka nën pushtim. Sipas ushtrisë izraelite, këta persona po avanconin drejt trupave të saj në jug të Gazës, duke paraqitur kërcënim të menjëhershëm, para se t’i godiste.

Mjekët thanë se në mesin e tre të vrarëve ishte një grua. Identiteti i dy të tjerëve nuk ishte menjëherë i qartë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Banorët thanë se forcat izraelite vazhduan që të shkatërronin shtëpi në zonat lindore të qyteteve Rafah, Khan Younis dhe Gaza, ku forcat vazhdojnë të operojnë.

Armëpushimi, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, i ka qetësuar shumicën e luftimeve, duke u mundësuar qindra mijëra palestinezëve që të kthehen në rrënojat e shtëpive të tyre në Gaza. Izraeli i ka tërhequr trupat nga pozicionet në qytete dhe më shumë ndihma janë lejuar të hyjnë në enklavë.

Megjithatë, dhuna nuk është ndërprerë plotësisht. Autoritetet shëndetësore palestineze thonë se forcat izraelite kanë vrarë 239 njerëz përmes sulmeve ndaj Gazës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, gati gjysmën prej tyre brenda një dite të vetme javën e kaluar, kur Izraeli u hakmor për një sulm ndaj trupave të tij.

Izraeli thotë se i janë vrarë tre ushtarë dhe ka vënë në shënjestër shumë luftëtarë./Nacionale

Lajme të ngjashme