Raportohet për tre të vrarë në Rusi nga sulmi ukrainas me dron - NACIONALE

Raportohet për tre të vrarë në Rusi nga sulmi ukrainas me dron

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të mërkurën se kishte penguar një sulm ukrainas me dron në Moskë, por se tre persona u vranë nga një sulm tjetër me dron afër kufirit me Ukrainën.

Guvernatori i rajonit Belgorod, që kufizohet me Ukrainën dhe është sulmuar shpesh, tha se droni goditi një sanatorium në një fshat. Ai tha se dy persona kishin vdekur në vend, ndërsa mjekët nuk kishin arritur që t’ia shpëtonin jetën as një njeriu tjetër, raporton agjencia “Reuters”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e mbrojtjes ajrore afër kryeqytetit kishin rrëzuar dy dronë mbi distriktet Mozhaisky dhe Khimki të Moskës.

Sipas kësaj ministrie, një dron tjetër ishte goditur dhe e kishte humbur kontrollin, por ra në një ndërtesë në ndërtim e sipër në distriktin biznesor të Moskës.

I njëjti distrikt, i njohur si Moscow City, është goditur dy herë brenda tri ditëve në fillim të muajit.

Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, raportoi se xhamat në tri kate të ndërtesës së lartë ishin dëmtuar.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina, e cila rrallë e merr përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për sulmet me dronë në territorin rus ose në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Lajme të ngjashme