Sulm i ri me dron në Moskë, goditet një ndërtesë
Një dron goditi një ndërtesë që është nën ndërtim e sipër në pjesën qendrore të Moskës të mërkurën herët, sipas kryetarit të qytetit, Sergei Sobyanin. Agjencia AFP raportoi se kjo qe nata e gjashtë rresht me sume ajrore në rajonin e kryeqytetit rus.
Ushtria ruse rrëzoi dy dronë të tjerë në pjesën perëndimore të rajonit të Moskës, tha kryetari i qytetit, Sergei Sobyanin, në një postim në rrjetin “Telegram”, raporton gazeta “The Guardian”.
Një shpërthim i madh u dëgjua në distriktin qendror të kryeqytetit të mërkurën në mëngjes, pak kohë pas pezullimit të fluturimeve në aeroportet e Moskës, raportoi agjencia ruse e lajmeve, RIA. Distrikti qendror ndodhet pesë kilometra larg Kremlinit.
“Një zë i fortë u dëgjua rreth orës 3 të mëngjesit sipas zonës kohore të Moskës, pak më vonë tymi doli nga ndërtesat në të njëjtën zonë”- raportoi agjencia RIA. Kjo agjenci publikoi edhe një video ku shihet një shtëllungë e madhe e tymit të bardhë duke dalë nga vendi ku ishte dëgjuar shpërthimi.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se droni ishte “shtypur nga pajisjet luftarake elektronike” para se ta humbte kontrollin dhe të përplasej në ndërtesë.
“Natën, forcat e mbrojtjes ajrore penguan një përpjekje tjetër nga regjimi i Kievit për të kryer një sulm terrorist përmes tri automjeteve ajrore pa pilotë në qytetin e Moskës”- thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie, ku shtohet se nuk pati pasoja në njerëz.
Përpos sulmit në Moskë, dy dronë “u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore” në distriktet Mozhaisk dhe Khimki të kryeqytetit, sipas kësaj ministrie.
Agjencia e lajmeve “Tass” raportoi se në aeroportet e Moskës u pezulluan fluturimet të mërkurën herët, para se ato të rifillonin më vonë.
Aeroporte të rëndësishme përreth kryeqytetit rus disa herë janë mbyllur ditëve të fundit për shkak të sulmeve ukrainase me dronë.
