Raportohet për sulme të reja në Ukrainë, në Kiev e Kharkiv dëgjohen shpërthime - NACIONALE

Raportohet për sulme të reja në Ukrainë, në Kiev e Kharkiv dëgjohen shpërthime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia hodhi një varg të ri raketash në Ukrainë të premten dhe se sistemet e mbrojtjes kundër ajrore u aktivizuan në pjesë të ndryshme të vendit.

Shpërthime janë dëgjuar në qytetin lindor, Kharkiv. Zyrtarët lokalë thanë se është goditur infrastruktura kritike, shkruan “The Guardian”, përcjell Nacionale.

Zyrtarët lokalë në rajonin Odesa të Detit të Zi, thanë se infrastruktura kritike është goditur nga sulmet edhe në atë pjesë.

Dëshmitarët e agjencisë “Reuters” thanë se kanë dëgjuar shpërthime edhe në kryeqytetin Kiev. Nuk qe menjëherë e qartë nëse ndonjëri prej shpërthimeve është shkaktuar nga raketat që i kanë shpëtuar sistemit të mbrojtjes kundërajrore.

Nuk pati raportime të menjëhershme për pasoja në njerëz dhe nuk qe e qartë se cili lloj i infrastrukturës kritike është goditur.

Guvernatori i rajonit verior, Sumy, tha se në rajon ka ndërprerje të rrymës për shkak të sulmeve me raketa të premten.

Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, raportoi për shpërthime në distriktin verilindor të qytetit, Desna, ku ndodhet një central i madh i energjisë. Nuk është e qartë nëse është goditur centrali.

Vitaly Kim, guvernator i rajonit jugor ukrainas, Mykolaiv, tha se rreth 60 raketa ruse janë parë duke lëvizur drejt hapësirës ajrore ukrainase. “Një pjesë e tyre tashmë janë mbi Ukrainën veriore”- shkroi ai në rrjete sociale.

Edhe Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, tha se është raportuar për hedhjen e shumë raketave në Ukrainë të premten në mëngjes.

“Alarm për sulme ajrore mbi shumicën e territorit ukrainas. Ka informata për shumë lëshime të raketave ruse. Ukrainasit këshillohen që të qëndrojnë në strehimore”- shkroi ai në një rrjet social.

Guvernatori i rajonit Zhytomyr, Vitaliy Bunechko, u ka bërë thirrje njerëzve që të qëndrojnë në strehimore për shkak të rrezikut për “sulme masive me raketa”.

Ndërkohë agjencia AFP ka raportuar se presidenti rus, Vladimir Putin, do ta vizitojë Bjellorusinë të hënën. Vizita e tij në shtetin fqinj të Rusisë vjen në kohën kur Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se Bjellorusia raportohet se është duke mbajtur “ushtrime të gatishmërisë”. Rusia, gjithashtu, ka dërguar njësi të veçanta të rezervistëve të mobilizuar në Bjellorusi.

Sidoqoftë, ministria britanike tha se trupat bjelloruse kanë pak gjasa që të përbëjnë një forcë që mund të kryejë një sulm të ri të suksesshëm në pjesën veriore të Ukrainës.

Senati i Shteteve të Bashkuara të enjten e miratoi legjislacionin për autorizimin e shumës rekorde prej 858 miliardë dollarësh për shpenzime vjetore në fushën e mbrojtjes, përfshirë 800 milionë dollarë si pjesë e ndihmës shtesë për sigurinë e Ukrainës.

Lajme të ngjashme