Raportohet për sulme masive ruse me raketa në disa qytete të Ukrainës
Rusia kreu sulme me raketa ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës të mërkurën në mëngjes, tha forca ajrore ukrainase, duke vrarë një person në jug e duke nxitur aktivizim të sistemeve të mbrojtjes ajrore në kryeqytet, ku u dëgjuan disa shpërthime.
Dy shpërthime të forta u dëgjuan në qendër të qytetit rreth orës 7 të mëngjesit, ndërsa të paktën dy të tjera rreth 45 minuta më vonë, raportoi medium “Kyiv Post”. Njëri nga reporterët e këtij medium dëgjoi sisteme ajrore duke u aktivizuar në përballje me disa predha dhe pa një shpërthim në ajër, raporton gazeta “The Guardian”.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan dhe u bëri thirrje njerëzve që të qëndrojnë në strehimore.
Ai shtoi se dy linja me tension të lartë të rrymës në kryeqytet ishin dëmtuar nga copëzat e raketave, duke shkaktuar ndërprerje të rrymës në disa zona.
Nga një sulm me raketë në Mykolaiv u vra një person dhe u dëmtuan të paktën 20 ndërtesa banimi. U raportua edhe për disa të lënduar, sipas kryetarit të qytetit, Oleksandr Sienkevych.
Oleh Sinehubov, guvernator i rajonit të Kharkivit, në verilindje të Ukrainës, tha se raketat ruse e goditën infrastrukturën në objekte që nuk janë të banimit në qytetin Kharkiv, qendër administrative e rajonit.
E tërë Ukraina ishte në alarm për sulme ajrore nga ora gjashtë e mëngjesit të së mërkurës. Forcat ajrore paralajmëruan për rrezikun nga sulmet ajrore.
Për sulme u raportua edhe në rajonet Lviv e Nikolaev.