Raportohet për sulme ajrore të Jordanisë në Siri - dhjetë të vrarë
Dyshohet se Jordania kreu sulme ajrore në jug të Sirisë të enjten herët, duke vrarë dhjetë njerëz, përfshirë disa fëmijë, sipas mediave lokale siriane e vëzhguesve që e përcjellin konfliktin atje.
Për këto raportime nuk pati koment të menjëhershëm nga autoritetet jordaneze, raporton agjencia “Reuters”.
Ushtria jordaneze e ka ashpërsuar fushatën kundër trafikuesve të drogës në javët e fundit pas përleshjeve të muajit të kaluar me dhjetëra persona të dyshuar për lidhje me grupe pro-iraniane që bartin sasi të madhe të lëndëve narkotike matanë kufirit me Sirinë, bashkë me armë e mjete shpërthyese.
Mediumi lokal, “Sham F.M.”, raportoi se sulmet ajrore jordaneze goditën dy shtëpi në qytezën Arman, në jug të provincës Suwayda, duke rezultuar në viktima.
Portali që i përcjell zhvillimet në këtë provincë, “Suwayda24”, tha se sulmet ajrore të njëkohshme gjatë natës e goditën këndin e banimit të Armanit, afër kufirit me Jordaninë.
Sipas këtij portali, dhjetë civilë u vranë nga sulmet: dy fëmijë, pesë gra e tre burra. Megjithatë, mediumi nuk i identifikoi sulmet si të kryera nga Jordania.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë që e përcjell luftën në Siri, tha se të paktën nëntë persona u vranë nga sulmet e Jordanisë në Suwayda, përfshirë dy fëmijë.
Vendi i goditur nga lufta e gjatë është bërë zonë kryesore e rajonit për tregti multimiliardëshe të drogës, ndërsa Jordania përbën rrugë transite kyçe drejt shteteve të pasura të Gjirit Persik për amfetaminën e prodhuar në Siri, që njihet si kaptagon, sipas zyrtarëve amerikanë e perëndimorë kundër lëndëve narkotike.