Raportohet për së paku 30 ushtarë të vrarë nga sulmi i kryengritësve në Mali
Një grup rebel i lidhur me al-Qaedan, aktiv në rajonin Sahel të Afrikës Perëndimore, e ka marrë përgjegjësinë për një sulm ndaj një baze ushtarake në Mali të dielën, për të cilin dy burime thanë se ka lënë të vrarë më shumë se 30 ushtarë.
Më shumë se 400 ushtarë raportohet të jenë vrarë nga kryengritësit që nga fillimi i majit në baza dhe qyteza të ndryshme në Mali, Niger dhe Burkina Faso, rajoni jostabil i ndjeshëm ndaj puçeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një sulm tjetër të hënën, grupi xhihadist, Jama’a Nusrat ul-Islam wa al-Muslimin (JNIM), tha në një deklaratë se kishte sulmuar një aeroport ushtarak dhe mercenarë rusë në qytetin verior, Timbuktu.
Numri i viktimave nuk ishte menjëherë i ditur, por zjarr i dendur armësh dhe bombardimet me predha mund të dëgjoheshin në shumicën e pjesëve të qytetit, sipas një dëshmitari të agjencisë “Reuters” dhe banorëve lokalë.
“E tëra filloi me zjarr armësh të ngjashëm me sulmet me predha dhe u pasua nga zjarri i armëve automatike. Kishte panik, njerëzit janë mbyllur në shtëpitë e tyre, ne nuk e dimë se çfarë është duke ndodhur” – tha një banor.
Grupi JNIM tha të dielën se kishte kapur një bazë ushtarake në Boulkessi, në pjesën qendrore të Malit, afër kufirit me Burkina Fason.
Ushtria e Malit tha se ishte detyruar që të tërhiqej pas mbrojtjes së vazhdueshme, por nuk dha shifra të viktimave. Dy burime të sigurisë thanë se mbi 30 ushtarë ishin vrarë.
Një burim komunal në Mondoro, afër bazës ushtarake, tha se kishte shumë njerëz të vdekur./Nacionale