Raportohet për mbi 100 të vrarë në turmën që po priste për ndihma në Gaza
Më shumë se 100 palestinezë raportohet të jenë vrarë përderisa po prisnin për të marrë ndihma që po shpërndaheshin në veri të Gazës.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që menaxhohet nga Hamasi, i fajësoi forcat izraelite, ndërsa mediat palestineze cituan burime mjekësore të kenë thënë se trupat izraelite shtien ndaj turmës, raporton televizioni BBC.
Një burim ushtarak izraelit tha se trupat hapën zjarr, pasi besuan se ushtarët ishin “të rrezikuar”.
Në një deklaratë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit gjithashtu u tha se dhjetëra njerëz u vranë, pasi u shkelën dhe u shtypën nga kamionët.
Një gazetar në qytetin Gaza i tha BBC-së se tanket izraelite shtien ndaj një turme që ishte mbledhur për të marrë ndihma. Ushtria izraelite thotë se nuk ka njohuri për shkrepje të predhave në atë zonë dhe se incidenti është duke u analizuar.
Në pamje të rënda të publikuara në rrjete sociale shfaqen të vdekurit në qytetin Gaza, të ngarkuar në kamionë bosh të ndihmave dhe një karrocë me gomar.
Kjo ndodhi disa orë para se Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se mbi 30 mijë njerëz, përfshirë 21 mijë fëmijë e gra, janë konfirmuar të vdekur që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashra fal-Qudra, tha se 104 njerëz u vranë dhe 760 të tjerë u lënduan në rrethrrotullimin “Nabulsi” në Rrugën “Rashid” të enjten herët në mëngjes dhe i fajësoi forcat izraelite për atë që e përshkroi si “masakër”.
Ai paralajmëroi se dhjetëra të plagosur në gjendje kritike ose të rëndë ishin dërguar në spitalin “Al-Shifa”, në qytetin Gaza, dhe se mjekët atje nuk po arrinin që t’i përballonin vëllimin dhe ashpërsinë e rasteve.