Raportohet për gati 40 të vrarë nga sulmet e ShBA-së në Irak e Siri - NACIONALE

Raportohet për gati 40 të vrarë nga sulmet e ShBA-së në Irak e Siri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore në Irak e Siri kundër më shumë se 85 caqeve të lidhura me Rojat Revolucionare të Iranit e me grupe që kjo forcë i përkrah, duke vrarë gati 40 persona, si hakmarrje për një sulm vdekjeprurës me dron ndaj trupave amerikane.

Këto sulme, në të cilat u përfshi përdorimi i bombarduesve me rreze të gjatë, B-1, të nsiur nga Shtetet e Bashkuara, ishin të parat në kundërpërgjigjen ndaj sulmit të fundjavës së kaluar në Jordani nga militantët e përkrahur nga Irani, ndërsa operacione të reja amerikane pritet të vijnë ditëve të ardhshme, raporton agjencia “Reuters”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, tha në një deklaratë se këto sulme përfaqësojnë “një gabim tjetër aventuresk e strategjik nga Shtetet e Bashkuara që do të rezultojë vetëm në rritjen e tensioneve dhe jostabilitetit”.

Iraku e thirri në takim të ngarkuarin me punë të ShBA-së në Bagdad për t’i paraqitur një protestë zyrtare. Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak, forcë shtetërore e sigurisë që përfshin grupe të përkrahura nga Irani, tha se 16 pjesëtarë të saj u vranë, përfshirë luftëtarë e mjekë. Qeveria irakiane më parë tha se në mesin e 16 të vrarëve kishte civilë.

Në Siri, nga sulmet ajrore u vranë 23 persona, të cilët ishin duke i ruajtur lokacionet e shënjestruara, tha Rami Abdulrahman, drejtor i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë që raporton për luftën në Siri.

Gjeneral Lejtnant Douglas Sims, drejtor i Shtabit të Përgjithshëm të ShBA-së, tha se sulmet duket të jenë të suksesshme, duke nxitur shpërthime të mëdha dytësore, përderisa bombat po e godisnin armatimin e militantëve. Ai tha se sulmet u ndërmorën duke ditur se me gjasë do të kishte pasoja në njerëz në mesin e atyre objekteve.

Pavarësisht nga këto sulme, Pentagoni ka thënë se nuk dëshiron luftë me Iranin dhe nuk beson se Teherani e do të njëjtën gjë, edhe pse ndaj presidentit Joe Biden është shtuar presioni i Partisë Republikane për të sulmuar drejtpërdrejt në territorin iranian.

Irani, që e përkrah Hamasin, është munduar që të qëndrojë jashtë konfliktit rajonal vetë, edhe pse mbështet grupe që janë përfshirë në luftime nga Libani, Jemeni, Iraku e Siria – grupi që njihet si “Boshti i Rezistencës” dhe që ka pikëpamje armiqësore ndaj interesave të Izraelit dhe ShBA-së.

Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, tha pas sulmeve se Bideni kishte lëshuar udhëzim për veprime shtesë kundër Rojave Revolucionare të Iranit dhe grupeve të lidhura me to.

“Ky është fillimi i përgjigjes sonë. Ne nuk kërkojmë konflikt në Lindje të Mesme ose kudo tjetër, por presidenti dhe unë nuk do të tolerojmë sulme ndaj forcave amerikane” – tha ai.

Në një deklaratë të qeverisë irakiane thuhet se në zonat e bombarduara nga aeroplanët amerikanë u përfshinë vende ku ndodhen forca irakiane të sigurisë, afër zonave të banimit dhe se, përpos 16 të vrarëve, 23 persona janë plagosur.

Shtëpia e Bardhë tha se ShBA-ja e kishte informuar Irakun para sulmeve. Bagdadi më vonë i akuzoi Shtetet e Bashkuara për mashtrim, duke thënë se pretendimi i amerikanëve për bashkërendim me autoritete irakiane ishte “i pabazë”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme