Raportohet për 13 të vrarë gjatë operacionit izraelit në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor - NACIONALE

Raportohet për 13 të vrarë gjatë operacionit izraelit në një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Trembëdhjetë persona, përfshirë pesë fëmijë, janë vrarë gjatë një operacioni izraelit në kampin e refugjatëve “Nour Shams” në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Palestinës.

“Ushtria pushtuese izraelite kreu një masakër në kampin e refugjatëve “Nour Shams” në Tulkare gjatë agresionit të saj në kamp dje, ku numri i përgjithshëm i martirëve shkoi në 13, përfshirë pesë fëmijë”- thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie të premten.

Kanali zyrtar televiziv palestinez, TV Palestina, raportoi se të premten në mëngjes, forcat izraelite ishin tërhequr nga kampi.

Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë konfirmuar se gjatë bastisjeve të së enjtes në Bregun Perëndimor u arrestua zëdhënësi i Hamasit, Hassan Yousef.

Agjencia izraelite e sigurisë, Shin Bet, i tha televizionit CNN të premten se Yousefi u arrestua “nën dyshimin për veprim në emër të Hamasit”.

Yousefi është figurë udhëheqëse politike palestineze, duke shërbyer si zëdhënës zyrtar i Hamasit në Bregun Perëndimor dhe duke mbajtur ulëse në Këshillin Legjislativ Palestinez.

Ai është arrestuar nga forcat izraelite disa herë më parë dhe ka kaluar gjithsej 24 vjet në burgjet izraelite nën akuza të ndryshme, përfshirë nxitjen, hyrjen në Jerusalem pa leje dhe për anëtarësinë e tij në Hamas.

Lajme të ngjashme