Raporti për masakrën në shkollën e Uvalde, zbulon 'dështime sistematike' nga autoritetet
Një raport mbi të shtënat në shkollën e Uvalde në Teksas që lanë të vrarë 21 persona ka gjetur "dështime sistemike dhe vendimmarrje jashtëzakonisht të dobët" nga ata që ishin përfshirë në ngjarje.
Raporti paraprak nga një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit u publikua të dielën pasi fillimisht iu ishte dorëzuar familjeve të viktimave.
Në raport, detajohet një "qasje e përgjithshme e papërshtatshme" nga autoritetet në vendngjarje, pasi policia kishte pritur më shumë se një orë jashtë klasave para se të hynte.
Kujtojmë se, sulmuesi 18-vjeçar kishte në shënjestër shkollën fillore Robb në qytetin Uvalde të Teksasit më 24 maj, ku vrau 19 fëmijë dhe dy mësuese.
Komiteti beson se raporti prej gati 80 faqesh është raporti më i plotë deri më tani për atë që ka ndodhur gjatë dhe pas sulmit në shkollë.
Nga hetimet, raporti nxjerr në përfundim se as shkolla nuk ishte përgatitur në mënyrë adekuate për rrezikun e një ndërhyrësi të armatosur dhe kishte një kulturë të lënies së dyerve të hapura - gjë që bie ndesh me politikat e sigurisë në distriktin shkollor.

Në raport më tej thuhet se: "Për shkak të dështimeve në mirëmbajtje dhe përgatitje, sulmuesi ka vrarë shumicën e viktimave ndoshta para se ndonjë reagues tjetër të arrinte në ndërtesë."
"Nga rreth 142 plumba që sulmuesi qëlloi brenda ndërtesës, është pothuajse e sigurt se ai ka qëlluar me shpejtësi mbi 100 prej tyre përpara se ndonjë oficer të hynte brenda."
Në ditën e masakrën në shkollë, kishte 367 oficerë - shumica prej tyre nga agjencitë federale dhe shtetërore të zbatimit të ligjit.
Ndërkohë, shefi i policisë së shkollave Uvalde, Pete Arredondo, ishte ai që kishte shkruar planin e reagimit aktiv të gjuajtësit, duke e caktuar veten si komandant incidenti, por sipas dëshmisë së tij, ai nuk kishte marrë rol atë ditë.
“Zbrazëtia e lidershipit mund të kishte kontribuar në humbjen e jetëve pasi viktimat e plagosura kanë pritur më shumë se një orë për ndihmë dhe sulmuesi ka vazhduar të qëllojë në mënyrë sporadike me armën e tij”, thuhet më tej në raport, duke shtuar se asnjë oficer nuk kishte marrë iniciativë.
E ndërsa raporti i publikuar kritikon ashpër zbatimin e ligjit, ai gjithashtu thotë se nuk ka asnjë person "të cilit mund t'i atribuohet keqdashje ose motive të këqija", përveç sulmuesit.
Kujtojmë se, në fillim të kësaj jave, pamjet e zbuluara nga CCTV nga Uvalde u publikuan nga një gazetë lokale, duke treguar mbërritjen e të armatosurit dhe policinë që kishte pritur 77 minuta për t'u përballur me të.

