Raketa balistike iraniane depërtoi në “dhomën e sigurt” në Izrael, u vranë dy njerëz
Komanda e Frontit Vendor në Izrael ka konfirmuar se dy njerëz u vranë nga një raketë balistike përderisa ishin strehuar në një hapësirë të mbrojtur në banesën e tyre, por theksoi se qëndrimi në një dhomë të sigurt kundër bombave ende mbetet zgjedhja më e sigurt për t’u mbrojtur nga sulmet e Iranit.
Sipas Komandës së Frontit Vendor, njëra nga raketat balistike të hedhura gjatë natës, e cila po bartte një bombë të rëndë qindra kilogramë, goditi drejtpërdrejt një dhomë të sigurt në katin e katërt të një blloku banesor shumëkatësh në Petah Tikva, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Ndikimi i drejtpërdrejtë i raketës “e prishi” dhomën e sigurt kundër bombave, e cila është e dizajnuar për t’u rezistuar valës së shokut nga raketat e tilla si dhe copëzave të predhave, por jo edhe një sulmi të drejtpërdrejt nga një bombë e madhe shpërthyese.
Dy njerëz që ndodheshin brenda dhomës së sigurt u vranë. Megjithatë, ata që ndodheshin në strehimore në katet më lart dhe më poshtë nuk u lënduan, tha Komanda e Frontit Vendor.
Dy viktima të tjera në Petah Tikva ndodheshin jashtë hapësirave mbrojtëse, kur ra raketa. Njëri person ndodhej në katin sipër vendit ku goditi raketa, por jo në dhomën e vet të sigurt, ndërsa tjetri ishte në një ndërtesë fqinje që u godit nga vala e shokut, sipas Komandës së Frontit Vendor.
Komanda e Frontit Vendor thotë se dhomat e sigurta kundër bombave janë vendet më të mira për të qëndruar gjatë sulmeve me raketa balistike, sidomos në ndërtesa të reja, dhe madje ato kanë performancë më të mirë se strehimoret kundër bombave, edhe pse strehimoret më të vjetra nëntokësore prapëseprapë janë të mjaftueshme.
Dhomat me mbrojtje të veçantë kanë shpëtuar shumë njerëz nga sulmet raketore iraniane deri më tani, sipas Komandës së Frontit Vendor./Nacionale