Raisi i Iranit i thotë Putinit në Moskë se Perëndimi e mbështet “gjenocidin” në Gaza - NACIONALE

Raisi i Iranit i thotë Putinit në Moskë se Perëndimi e mbështet “gjenocidin” në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, e akuzoi të enjten Perëndimin për përkrahje të “gjenocidit” nga Izraeli kundër palestinezëve në Gaza. Këtë akuzë ai e bëri në fillim të bisedimeve në Moskë me homologun rus, Vladimir Putin.

Si pjesë e një vargu takimesh të përqendruara në Lindje të Mesme, Putini e priti Raisin në Kremlin një ditë pas kthimit të tij nga vizitat në Arabi Saudite e Emirate të Bashkuara Arabe, ku diskutoi për luftërat në Gaza e Ukrainë si dhe për përpjekjet e Rusisë dhe të organizatës OPEC për t’i ngritur çmimet e karburanteve, raporton agjencia “Reuters”.

Në komentet hapëse në televizion, asnjëri nga presidentët nuk e përmendën bashkëpunimin e shtuar ushtarak mes dy vendeve – burim i shqetësimit për Shtetet e Bashkuara, të cilat thonë se Irani është duke e furnizuar Rusinë me armë për t’i përdorur në Ukrainë.

Putini tha se është shumë e rëndësishme që të diskutohet situata në Lindje të Mesme, sidomos në territoret palestineze.

Raisi u përgjigj përmes një përkthyesi: “Ajo që po ndodh në Palestinë dhe Gaza është natyrisht gjenocid dhe krim kundër njerëzimit.” Ai shtoi se “është edhe më pikëlluese” që kjo po përkrahet nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi.

Irani e mbështet Hamasin, grup palestinez që e qeveris Gazën, gjatë luftës së tij kundër Izraelit. Rusia ka marrëdhënie me të gjithë lojtarët kyçë në rajon, përfshirë Hamasin e Izraelin, të cilin e zemëroi për shkak të pritjes së një delegacioni të Hamasit në Moskë në tetor.

Analistët thonë se konflikti mes Izraelit dhe Hamasit e ka ndihmuar Rusinë përmes shpërqendrimit të vëmendjes së botës nga lufta në Ukrainë dhe duke i mundësuar Moskës që të radhitet me shtetet në zhvillim, në solidaritet me palestinezët.

Rusia dhe vendet arabe thonë se Perëndimi po shfaq standarde të dyfishta përmes përkrahjes së bombardimit dhe rrethimit të Gazës nga Izraeli, përderisa e akuzon Rusinë për krime lufte.

Lajme të ngjashme