Qytetarët gjerman protestojnë kundër hapjes së minierave të reja të thëngjillit në Gjermani - NACIONALE

Qytetarët gjerman protestojnë kundër hapjes së minierave të reja të thëngjillit në Gjermani

1 vit më parë

nga Anita Nikaj

Zgjerimi i një miniere të linjitit ka nxjerrë në pah tensionet rreth politikës klimatike të Gjermanisë gjatë krizës energjetike.

Disa gurë dhe fishekzjarrë u hodhën të mërkurën në drejtim të policisë në fshatin e vogël të Luetzerath, vend i cili është kthyer në një pikë debati anembanë Gjermanisë.

Zëdhënësi i policisë në ketë rajon, Andreas Mueller tha se sulmet ndaj oficerëve nuk ishin "të bukura", por vuri në dukje se shumica e protestave deri më tani kanë qenë paqësore.

Ai tha se policia do t'i përmbahet taktikës së saj për të shmangur çdo përshkallëzim të mundshëm, policia do të lejojë çdo aktivist që largohet me dëshirë pa u përballur me masa të mëtejshme policore apo ndjekje penale.

"Kam vërtet frikë sot,"- tha Petra Mueller, një vendase 53-vjeçare që kishte qenë pjesë e protestës për disa ditë, raporton Aljazeera

Mueller tha se ajo ende kishte shpresë për të ruajtur atë që ka mbetur nga Luetzerath “derisa asgjë të mos mbetet në këmbë; shpresa vdes e fundit".

Ambientalistët thonë se shkatërrimi i fshatit për të zgjeruar minierën e qymyrit Garzweiler aty pranë do të rezultonte në sasi të mëdha të emetimeve të gazit.

Qeveria dhe kompania e shërbimeve RWE argumentojnë se qymyri është i nevojshëm për të garantuar sigurinë energjetike të Gjermanisë.

Megjithatë, një studim i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike vë në pikëpyetje qëndrimin e qeverisë. Ata zbuluan se fusha të tjera ekzistuese të qymyrit mund të përdoren në vend të tyre, megjithëse kostoja për RWE do të ishte më e madhe.

Një alternativë tjetër do të ishte që Gjermania të rriste prodhimin e energjisë së rinovueshme, të reduktonte kërkesën përmes masave të efiçencës së energjisë ose të importonte më shumë qymyr ose gaz nga jashtë, zbuloi studimi.

Disa aktivistë shprehën zemërim të veçantë ndaj partisë ambientaliste të Gjelbërve, e cila është pjesë e qeverive rajonale dhe kombëtare që arritën një marrëveshje me RËE vitin e kaluar duke e lejuar atë të shkatërrojë fshatin në këmbim të përfundimit të përdorimit të qymyrit deri në vitin 2030, në vend të 2038.

"Mendoj se mbrojtja e klimës dhe protestat kanë nevojë për simbole, por fshati bosh i Luetzerath, ku askush nuk jeton më, është simboli i gabuar nga këndvështrimi im," -tha zëvendës kancelari Robert Habeck, një i Gjelbër që është ministër i ekonomisë dhe klimës së Gjermanisë.

Aktivistët e klimës kundërshtojnë se zgjerimi i një miniere masive të qymyrit të hapur bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Gjermanisë për të reduktuar emetimet e gazeve serrë që ngrohin planetin. Vendi pritet të humbasë objektivat e tij ambicioz për të dytin vit radhazi.

Lajme të ngjashme