Qindra iranianë e kaluan kufirin dhe hynë në Turqi, sipas një dëshmitari - NACIONALE

Qindra iranianë e kaluan kufirin dhe hynë në Turqi, sipas një dëshmitari

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Qindra iranianë e kaluan kufirin dhe hynë në Turqi të hënën pasdite, përderisa lufta amerikano-izraelite kundër Iranit u zgjerua, tha një dëshmitar i agjencisë “Reuters”. Ata që e kaluan kufirin folën për frikën në Teheran dhe radhët e pritjes në pompat e karburanteve.

Në mëngjes, Turqia tha se kalimet 24-orëshe të pasagjerëve në tri pikëkalime kufitare me Iranin ishin pezulluar në mënyrë reciproke dhe se Turqia po e lejonte hyrjen vetëm për shtetasit e saj dhe shtetasit e vendeve të treta. Të dielën, udhëtarët i thanë agjencisë “Reuters” se disa shtetasve iranianë iu ndalua hyrja në Turqi, raporton kjo agjenci.

Megjithatë, të hënën pasdite, iranianët filluan që të hynin në Turqi në pikëkalimin Kapikoy, duke arritur nga kodat e mbuluara me borë në Iran.

“Situata në Teheran është tashmë e vështirë. Ka gjëra të vështira në Iran, bombardime. Të gjithë janë të frikësuar, por, për shembull, njerëzve të rëndomtë nuk u ndodhi asgjë” – tha një burrë nga kryeqyteti iranian, i cili refuzoi që ta tregonte emrin, por tha se gruaja dhe fëmijët e tij ndodhen në Stamboll.

Ai tha se kishte blerë gjësende shtëpiake në ditën e parë të luftës në Teheran, por se dyqanet ishin shumë të ngarkuara me njerëz.

Binali Kilic, azer iranian nga zona Qazvin, afër kufirit turk, tha se jeta atje po vazhdon normalisht, por ka bombardime të vazhdueshme në zonat ushtarake që e prekin jetën e njerëzve.

Më herët, ministri i Tregtisë i Turqisë, Omer Bolat, tha se Irani po i lejonte shtetasit e vet që të hynin në territorin iranian përmes Turqisë, duke shtuar se transiti i dërgesave komerciale në të tri pikëkalimet po vazhdon në kushte të kontrolluara.

“Të gjitha njësitet tona vazhdojnë që t’i kryejnë detyrat e tyre me vigjilencë të lartë për ta siguruar vazhdimin e papenguar të shërbimeve të kalimit të kufirit dhe rrjedhjeve tregtare të Turqisë” – deklaroi ai./Nacionale

Lajme të ngjashme