Qindra gra u përdhunuan dhe u dogjën të gjalla pasi një burgu iu vu zjarri në Kongo
Qindra gra u përdhunuan dhe u dogjën të gjalla gjatë kaosit, pasi një grup rebelësh të përkrahur nga Ruanda hynë në qytetin Goma të Kongos javën e kaluar.
Të burgosurat u sulmuan në zonën e tyre brenda burgut “Munzenze” të qytetit Goma gjatë një arratisjeje masive, sipas një zyrtareje të lartë të Kombeve të Bashkuara, raporton gazeta “The Guardian”.
Nëndrejtoresha e forcës paqeruajtëse të OKB-së me bazë në Goma, Vivian van de Perre, tha se përderisa disa mijëra burra arritën që të arratiseshin nga burgu, zonës ku mbaheshin gratë iu vu zjarri.
Pamjet e marra pak kohë pasi rebelët e grupit M23 arritën në qendër të qytetit shfaqin tym të madh e të zi duke u ngritur nga burgu në mëngjesin e 27 janarit.
Edhe pse hollësitë e incidentit janë të pakta, kjo mizori duket se është më e rënda në konfliktin e filluar rishtazi e të udhëhequr nga grupi M23 në Republikën Demokratike të Kongos.
A Reality Mapper documents inmates escaping from Munzenze Maximum Prison, Goma’s main prison, amid the chaos as M23 rebels take control of the city.#Goma #DRCongo pic.twitter.com/gOksyjQWNl
— Collective Memory (@Collective_memo) January 27, 2025
Megjithatë, paqeruajtësit e OKB-së nuk kanë pasur mundësi që ta vizitojnë burgun dhe të zhvillojnë hetim të mëtejmë për shkak të kufizimeve të vendosura nga rebelët e grupit M23, që do të thotë se identiteti i autorëve mbetet i paqartë.
Të martën, u mor vesh se rreth dy mijë trupa ende ishin në pritje të varrimit në Goma, pasi luftëtarët e grupit M23 e morën kontrollin e qytetit që është kryeqytet i provincës së Kivut Verior, më 27 janar.
Van de Perre, e cila tani ndodhet në Goma me mijëra trupa paqeruajtëse të OKb-së të dislokuara për t’i mbrojtur qytetarët, tha: “Në burg ndodhi një arratisje e madhe e 4 mijë të të burgosurve. Disa qindra gra gjithashtu ndodheshin në burg.”
“Ato të gjitha u përdhunuan dhe pastaj ata ia vunë flakën zonës së grave në burg. Ato të gjitha vdiqën më pas” – shtoi zyrtarja e OKB-së./Nacionale