Qeni i Bidenit “përjashtohet” nga Shtëpia e Bardhë pas kafshimit të agjentëve sekretë
Qeni i presidentit Joe Biden të ShBA-së, i quajtur Komandant, tani nuk ndodhet në kampusin e Shtëpisë së Bardhë pas disa incidenteve të kafshimit të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe oficerëve të Shërbimit Sekret, tha të mërkurën vonë një zëdhënëse e zonjës së parë, Jill Biden.
Elizabeth Alexander, drejtoreshë e komunikimit e zonjës së parë, tha se Bideni dhe bashkëshortja e tij kujdesen thellësisht për sigurinë e stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe për ata që i mbrojnë përditë, raporton “ABC News”.
“Ata mbeten mirënjohës për durimin dhe mbështetjen e Shërbimit Sekret të ShBA-së dhe të gjithë të përfshirëve, përderisa vazhdojnë të punojnë për zgjidhje”- tha ajo në një deklaratë të dërguar me postë elektrnike, duke shtuar se “Komandanti nuk është tani në kampusin e Shtëpisë së Bardhë, përderisa hapat e ardhshëm janë vlerësuar”.
Zëdhënësja nuk tregoi se ku ishte dërguar qeni. Pastori Gjerman 2 vjeç u pa për herë të fundit të shtunën në një ballkon të Shtëpisë së Bardhë.
Ky qen ishte përfshirë në një varg incidentesh të kafshimit, e fundit më 25 shtator. Një oficer në uniformë i Shërbimit Sekret ishte kafshuar në Shtëpinë e Bardhë atë mbrëmje dhe ishte trajtuar në vend të ngjarjes nga personeli mjekësor, sipas zyrtarit Anthony Guglielmi.
