Putini u thotë forcave të sigurisë se ato parandaluan një luftë civile
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u ka thënë forcave të sigurisë që ato kanë ndalur një luftë civile dhe se kanë vepruar në mënyrë të duhur e të bashkërenduar.
“Ju në thelb keni ndalur një luftë civile, vepruat në mënyrën e duhur dhe të bashkërenduar”- tha ai, duke mbajtur një minutë heshtje për pilotët e rënë gjatë kryengritjes së shkurtër në fundjavë.
Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht numrin e pilotëve të vdekur ose numrin e aeroplanëve ose helikopterëve të rrëzuar gjatë rebelimit të mercenarëve, por disa raportues pro ushtrisë ruse kanë thënë se të paktën 13 pilotë janë vrarë gjatë kryengritjes.
Presidenti rus tha se Rusia nuk ishte e detyruar që të tërhiqte njësite ushtarake nga “operacioni special ushtarak” nga Ukraina për ta shtypur kryengritjen brenda vendit.
Putini pretendoi se forcat e grupit “Wagner” kurrë nuk e kanë pasur përkrahjen e ushtrisë apo të popullit, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, ia vlen të theksohet se turmat e njerëzve i përshëndetën dhe duartrokitën trupat e grupit “Wagner”-, kur ata u larguan nga qyteti Rostov-on-Don gjatë fundjavës.
“Populli dhe ushtria nuk ishin në anën e kryengritësve”- tha presidenti rus para udhëheqësve të shërbimeve të sigurisë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të cilin Prigozhini ishte munduar ta rrëzonte përmes kryengritjes.
