Putini thotë se Rusia do t’i përdorte të gjitha armët në dispozicion, nëse Ukraina siguron armë bërthamore
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të enjten se vendi i tij do t’i përdorte të gjitha armët që i ka në dispozicion kundër Ukrainës, nëse Kievi siguron armë bërthamore.
Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, raportoi javën e kaluar se disa zyrtarë të paidentifikuar perëndimorë kishin sugjeruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mund t’i japë Ukrainës armë bërthamore para se të largohet nga pushteti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nëse shteti me të cilin ne në thelb jemi në luftë tani bëhet fuqi bërthamore, çfarë bëjmë ne? Në këtë rast, ne do t’i përdorim të gjitha, dua ta theksoj këtë, saktësisht të gjitha mjetet e shkatërrimit që janë në dispozicion të Rusisë. Gjithçka: ne nuk do ta lejojmë këtë. Ne do të jemi duke shikuar secilën lëvizje të tyre” – tha kreu i Kremlinit në një konferencë për gazetarë në Astana të Kazakistanit.
“Nëse zyrtarisht dikush do të transferonte diçka, atëherë ajo do të nënkuptonte shkelje të të gjitha zotimeve kundër përhapjes bërthamore që ata i kanë bërë” – shtoi presidenti rus.
Putini tha gjithashtu se është praktikisht e pamundshme që Ukraina të prodhojë një armë bërthamore, por se mund të jetë e aftë për të ndërtuar një lloj të “bombës së pistë”, bombë konvencionale e mbështjellë me lëndë radioaktive me qëllim të shpërndarjes së kontaminimit. Në atë rast, Rusia do të kundërpërgjigjej në përputhje me rrethanat, tha ai.
Rusia ka thënë në mënyrë të përsëritur, pa ofruar dëshmi, që Ukraina mund të përdorë pajisje të tillë.
Ukraina kishte trashëguar armë bërthamore nga Bashkimi Sovjetik pas shpërbërjes së tij më 1991, por kishte hequr dorë nga to sipas marrëveshjes së vitit 1994 e njohur si Memorandumi i Budapestit, në këmbim të garancive të sigurisë nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, disa herë është ankuar se kjo marrëveshje e kishte lënë vendin e tij pa siguri, duke e përmendur atë si arsye që Ukraina duhet të pranohet në NATO – diçka që kundërshtohet fuqishëm nga Moska./Nacionale