Putini paralajmëron hakmarrje të rrufeshme ndaj intervenimit të jashtëm në Ukrainë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, paralajmëroi për hakmarrje të rrufeshme, nëse shtetet ndërhyjnë në Ukrainë, ndërsa homologu i tij amerikan, Joe Biden, pritet që të enjten të shprehë përsëri përkrahje për ukrainasit.
Duke iu drejtuar ligjvënësve në Shën Petersburg të mërkurën, presidenti rus tha se Perëndimi dëshiron që ta ndajë Rusinë në copa dhe e akuzoi atë për shtyrje të Ukrainës drejt konfliktit me Rusinë, raporton agjencia “Reuters”.
“Nëse ndokush synon që të ndërhyjë në zhvillimet e vazhdueshme nga jashtë dhe të krijojë rreziqe strategjike për Rusinë, që janë të papranueshme për ne, ata duhet të dinë se sulmet tona hakmarrëse do të jenë të shpejta si rrufeja”, tha Putini.
“Ne i kemi të gjitha mjetet për këtë, gjëra që askush tjetër nuk mund të mburret se i ka tani. Dhe ne nuk do të mburremi, do t’i përdorim ato, nëse është e nevojshme dhe dua që të gjithë ta dinë këtë” shtoi presidenti rus.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të enjten do të flasë në përkrahje të ukrainasve që po i mbrojnë vendin dhe lirinë e tyre kundër luftës brutale të Rusisë, tha Shtëpia e Bardhë.
Në kohën kur Rusia po e vazhdon sulmin ushtarak në lindje dhe në jug të Ukrainës, beteja e saj ekonomike me Perëndimin e rrezikon furnizimin e Evropës me gaz dhe po e godet ekonominë ruse, e cila po përballet me krizën më të rëndë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991.
Ukraina ka thënë se Evropa duhet të mos varet më nga Rusia për tregti, pasi Moska ua ndali gazin Bullgarisë dhe Polonisë për shkak të mosplotësimit të kërkesës së presidentit rus për të paguar në rubla.