Putini nënshkruan dekret, 130 mijë të rinj shtesë në listë për rekrutim të detyrueshëm - NACIONALE

Putini nënshkruan dekret, 130 mijë të rinj shtesë në listë për rekrutim të detyrueshëm

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të premten nënshkroi një dekret në të cilin deklarohet se ushtria ruse do të rekrutojë 130 mijë burra për shërbim të detyrueshëm ushtarak këtë vjeshtë.

Ushtria ruse do të lejohet që të thërrasë në rekrutim burra nga mosha 18 deri në 27-vjeçare nga 1 tetori deri më 31 dhjetor për një periudhë trajnimi prej 12 muajsh, raporton “Moscow Times”, përcjell gazeta “The Guardian”.

Me dekretin e ri, numri i përgjithshëm i personave të rekrutuar do të shkojë në 277 mijë. 147 mijë burra ishin rekrutuar gjatë thirrjes për shërbim në pranverë.

Ky dekret vjen pas nënshkrimit të një ligji nga Putini rishtazi që ua ndalon rekrutëve largimin nga shteti.

Edhe pse admiral Vladimir Tsimlyansky, nëndrejtor i Departamentit të Mobilizimit në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Rusisë, tha të premten se asnjë i rekrutuar nuk do të dërgohet për të luftuar në Ukrainë, ka pasur spekulime se Kremlini po përgatitet për valën e dytë të mobilizimit.

Mobilizimi i pjesshëm kishte rezultuar në rekrutimin e 300 mijë rezervistëve për luftën në Ukrainë dhe kishte nxitur bastisje masive e largim historik të rusëve jashtë vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se ai do të kërkojë që numri i personelit luftarak të Rusisë të rritet nga 1 milion e 150 mijë në 1 milion e 500 mijë ushtarë.

Lajme të ngjashme