Britania thotë se ligji i ri i rekrutimit tregon që Rusia pret konflikt të gjatë në Ukrainë - NACIONALE

Britania thotë se ligji i ri i rekrutimit tregon që Rusia pret konflikt të gjatë në Ukrainë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se një ligj i ri në Rusi, me të cilin largohet një pengesë që ua mundësonte disa burrave shmangien e rekrutimit, lë të kuptohet se Moska pret konflikt të gjatë në Ukrainë.

Raportohet se presidenti rus, Vladimir Putin, e nënshkroi të premten projektligjin për krijimin e një sistemi elektronik të rekrutimit, duke e lehtësuar procesin e mobilizimit të rusëve në ushtri dhe duke shkaktuar frikë të re në vend, përderisa lufta në Ukrainë po vazhdon.

Në përditësimin më të ri të të dhënave të inteligjencës, ministria britanike tha se, sipas ligjit të ri, autoritetet do të mund t’i lëshojnë dokumentet për rekrutim në mënyrë elektronike e jo në formë të shtypur, raporton gazeta “The Guardian”.

Raportohet se masat e reja do të hyjnë në fuqi më vonë këtë vit, por nuk tregojnë në mënyrë specifike ndonjë valë të re të rëndësishme të mobilizimit të detyrueshëm, thuhet në vlerësimin e britanikëve.

“Rusia, tash për tash, është duke bërë prioritet një nismë për të rekrutuar trupa shtesë të vullnetarëve. Megjithatë, ka shumë gjasë që masa të jetë pjesë e një qasjeje afatgjate për të ofruar personel, pasi Rusia pret një konflikt të gjatë në Ukrainë”- thuhet në raport.

Lajme të ngjashme