Putini: Lufta nuk do të ndalet deri në përmbushjen e qëllimeve të Rusisë – dita 48 e pushtimit
Ndërsa shqetësimet për përdorimin e armëve kimike nga Rusia në Ukrainë po vazhdojnë të rriten, gjatë ditës së sotme presidenti rus Vladimir Putin u zotua se ofensiva e përgjakshme e Rusisë në Ukrainë do të vazhdojë derisa të përmbushen qëllimet e saj.
Të përmbledhura nga Nacionale, më poshtë mund të njiheni më zhvillimet kyçe të ditës nga lufta në Ukrainë.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka shprehur shqetësimin se forcat ruse po përgatisin "një fazë të re terrori" që mund të përfshijë përdorimin e armëve kimike në Ukrainë. Shqetësimi vjen pasi Andriy Biletsky, udhëheqësi i regjimentit vullnetar të Azov, pretendoi të hënën se tre persona në qytetin port jugor kishin përjetuar "helmim nga kimikatet e luftës, por pa pasoja katastrofike".
- Megjithatë, disa vëzhgues kanë shprehur skepticizëm se provat e disponueshme tregojnë për një sulm me armë kimike. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se ShBA nuk mund të konfirmojë raportet për përdorimin e armëve kimike në Mariupol.
- Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha se ShBA ka "informacion të besueshëm" se Rusia "mund të përdorë... armë kimike" në ofensivën e saj për të pushtuar qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit.
- Kryetari i Mariupolit, Vadym Boichenko, tha se nga vlerësimi i fundit rreth 21,000 banorë civilë janë vrarë në qytetin port ukrainas të Mariupolit, që nga fillimi i pushtimit rus.
- Kryetari i qytetit ukrainas të Bucha-s, afër Kievit, tha se deri tani autoritetet kishin gjetur 403 trupa të njerëzve që ata besonin se ishin vrarë nga forcat ruse gjatë pushtimit të zonës
- Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Ukraina kishte devijuar nga marrëveshjet e arritura në bisedimet e mbajtura në Stamboll, duke shtuar se këto bisedime janë në “një rrugë pa krye”.
- Ndërsa, një anëtar i delegacionit ukrainas, Mykhailo Podolyak, tha se negociatat me rusët ishin shumë të vështira, por ato po vazhdonin.
- Putini gjithashtu pretendoi se operacioni ushtarak i Rusisë po shkonte siç ishte planifikuar dhe se nuk do të ndalet derisa të përmbushet qëllimi i Rusisë. Ai, pas një takimi me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, shtoi se përfundimi i operacioni ushtarak varet nga intesiteti i luftimeve.
- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se agjencitë ukrainase të zbatimit të ligjit kishin kapur oligarkun Viktor Medvedchuk, aleatin më të ngushtë të Putinit në Ukrainë.
- Kryeministri britanik Boris Johnson foli me presidentin amerikan Joe Biden për forcimin e mbështetjes ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, si dhe nevojën për t'i dhënë fund varësisë së Perëndimit nga nafta dhe gazi rus.
- Autoritetet ukrainase thonë se kanë penguar një përpjekje për të prishur infrastrukturën e tyre energjetike me sulm kibernetik. Ata thonë se hakerat hynë për herë të parë në sistem në shkurt. Më pas ata u përpoqën të aktivizonin malware-in (virus) që instaluan më 8 prill.
- Një video është shfaqur që dyshohet se tregon dy sisteme ruse të mbrojtjes raketore duke lëvizur përgjatë një rruge në anën ruse të kufirit që çon në Helsinki. Bëhet fjalë për një video të publikuar në Twitter dhe mediat si Daily Mail dhe News Week e kanë transmetuar videon, ndonëse autenticiteti i saj ende nuk është konfirmuar.
- Një aktivist i njohur i opozitës ruse dhe kritik i hapur i pushtimit të Ukrainës, Vladimir Kara-Murza, është dënuar në Moskë me 15 ditë burg me akuzën e mosbindjes ndaj urdhrave të policisë kur doli nga shtëpia e tij. Avokati i tij, tha se policia kishte akuzuar Kara-Murza për "ndryshim të ritmit të ecjes dhe përpjekje për t'u arratisur" kur policët iu afruan jashtë shtëpisë së tij të hënën në mbrëmje.
- Një organizatë bamirëse katolike, Caritas, ka thënë se dy punonjës të saj dhe pesë të afërm të tyre janë vrarë në Mariupol.
- Banka Botërore po planifikon mbështetje financiare për Ukrainën me vlerë 1.5 miliardë dollarë për të ndihmuar në funksionimin e shërbimeve kritike ndërsa vendi po lufton një sulm të ri nga Rusia
- Një britanik që është duke luftuar në Ukrainë ka thënë se njësia e tij nuk ka zgjidhje tjetër veçse t'i dorëzohet forcave ruse në Mariupol. Aiden Aslin, nga Newark, Nottinghamshire, është një marinar në ushtrinë ukrainase dhe ka mbrojtur qytetin port jugor, i cili është nën bombardime të rënda nga forcat ruse.