Putini i siguron aleatët aziatikë për stabilitetin e Rusisë pas kryengritjes
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u tha udhëheqësve të disa shteteve aziatike të martën se populli rus është më i bashkuar se kurrë më parë. Ai e bëri këtë koment në paraqitjen e parë në një forum ndërkombëtar që nga kryengritja e shkurtër dhe e dështuar e mercenarëve të grupit “Wagner” muajin e kaluar.
“Populli rus është më i konsoliduar se kurrë më parë”- tha Putini në konferencën virtuale të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, grup në të cilin përfshihen edhe Kina e India, raporton agjencia “Reuters”.
“Qarqet politike ruse dhe e tërë shoqëria qartazi e dëshmoi unitetin e tyre dhe ndjenjën e ngritur të përgjegjësisë për fatin e atdheut, kur u përgjigjën si një front i bashkuar kundër një kryengritjeje të armatosur në tentativë”- shtoi presidenti rus.
Fjalimi i Putinit dhe theksi tek uniteti në një takim me aleatë kyçë dukej se e shfaqte faktin se sa i dhënë është ai për të larguar çfarëdo dyshimi për autoritetin e tij në skenën botërore pas kryengritjes së udhëhequr nga shefi i mercenarëve, Yevgeny Prigozhin.
Luftëtarët e grupit “Wagner” e morën kontrollin e një qyteti jugor dhe përparuan në drejtim të Moskës më 24 qershor, duke ia paraqitur Putinit sfidën më të rëndë ndaj qëndrimit në pushtet që nga viti 1999.
Kryengritja u shua përmes një marrëveshjeje për të cilën ndërmjetësoi presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko. Putini i ka falënderuar forcat ruse për shmangien e kaosit dhe të luftës civile.
Në fjalimin e tij, Putini tha se Rusia do të qëndrojë kundër sanksioneve dhe “provokimeve” perëndimore, duke shtuar se Moska planifikon që t’i fuqizojë marrëdhëniet me Organizatën e Shangait për Bashkëpunim.
Ai paralajmëroi se mundësia për konflikte dhe rreziku për një krizë ekonomike globale janë duke u rritur.
