Putini i dyfishon bonuset për vullnetarët që i bashkohen luftës në Ukrainë - NACIONALE

Putini i dyfishon bonuset për vullnetarët që i bashkohen luftës në Ukrainë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën i dyfishoi pagesat paraprake për vullnetarët që luftojnë në Ukrainë, vendim me të cilin synohet lehtësimi i rekrutimit ushtarak, por që pritet të krijojë çekuilibra në ekonominë e tejngarkuar.

Të gjithë rusët që nënshkruajnë një kontratë me ushtrinë tani do të marrin një pagesë prej 400 mijë rublash (4.267 euro). Në dekret gjithashtu rekomandohet që autoritetet rajonale ta plotësojnë këtë pagesë me buxhetet e tyre me të paktën shumën e njëjtë, raporton agjencia “Reuters”.

Kur paga më e ulët mujore për një ushtar që merr pjesë në luftën e Rusisë në Ukrainë është 204 mijë rubla (2.176 euro), me dekretin e ri rritet paga minimale vjetore në vitin e parë të shërbimit në 3,25 milionë rubla (34.677 euro) ose nga 2.889 euro në muaj.

Më herët këtë muaj, kryetari i Moskës caktoi një pagesë paraprake për banorët e kryeqytetit rus që bëhen pjesë e luftës në Ukrainë prej 1,9 milion rublash (20.367 euro) nga buxheti i qytetit.

Rritja e re nënkupton që paga minimale vjetore për ushtarët rusë me kontratë që luftojnë në Ukrainë do ta tejkalojë pagën mesatare në Rusi për më shumë se trefish, ndërsa pagesa minimale për banorët e Moskës e tejkalon pagën mesatare për më shumë se pesëfish.

Pagesa të tilla e kanë ndihmuar Rusinë që të shmangë një mobilizim të ri gjithëkombëtar pas një nisme me probleme më 2022, që kishte çuar tek eksodi masiv i rusëve në shtete fqinje. Megjithatë, disa ekonomistë argumentojnë se pagesa të tilla po formojnë një spirale të pagave në ekonomi.

Rritjet e pagave mbështeten edhe nga një varg masash të tjera, si përjashtimi nga pagesa e interesit mujor të kredive të konsumit për vullnetarët dhe garancitë shtetërore për kredi të tilla në rast të vdekjes.

Zyrtarët rusë thonë se rreth 190 mijë njerëz janë paraqitur si vullnetarë deri më tani këtë vit për të luftuar në Ukrainë, krahasuar me 490 mijë kontrata të nënshkruara më 2023./Nacionale

Lajme të ngjashme