Putini: E kam përshtypjen se konflikti Izrael – Hamas nuk do të bëhet luftë më e gjerë - NACIONALE

Putini: E kam përshtypjen se konflikti Izrael – Hamas nuk do të bëhet luftë më e gjerë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se nuk mendon që konflikti Izrael – Hamas do të eskalojë në luftë më të gjerë, pasi ai e ka përshtypjen se “praktikisht nuk ka aktorë të gatshëm për ta zhvilluar konfliktin”.

Duke folur në Pekin të Kinës, kreu i Kremlinit raportohet të ketë thënë: “Sa i përket sulmit ndaj spitalit (në Gaza), tragjedia që ndodhi atje është ngjarje e tmerrshme. Qindra të vdekur e qindra të plagosur sigurisht se janë katastrofë.”

“Vërtet shpresoj se ky do të jetë një sinjal që ne duhet t’i japim fund këtij konflikti sa më shpejt që është e mundshme. Në çfarëdo rasti, duhet të përqendrohemi te mundësia e fillimit të ca kontakteve e bisedimeve”- shtoi ai.

“E kam përshtypjen se askush nuk dëshiron që kjo të vazhdojë, që konflikti të zhvillohet e situata të përkeqësohet më tej. Sipas mendimit tim, aktorët kryesorë – disa nuk duan për shkak të asaj që janë, disa frikësohen nga diçka, por e kam përshtypjen se praktikisht nuk ka aktorë të gatshëm për ta zhvilluar konfliktin e për ta shndërruar atë në një luftë të nivelit të lartë”- tha më tej presidenti rus.

Të hënën, ai bisedoi me homologun iranian, Ebrahim Raisi, homologun sirian, Bashar al-Assad, homologun egjiptian, Abde Fattah al-Sisi, me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, dhe me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Zyrtarët palestinezë e kanë fajësuar Izraelin për shpërthimin në spitalin e Gazës, ku Hamasi ka pretenduar se kanë vdekur rreth 500 njerëz. Në anën tjetër, Izraeli ka pretenduar se shpërthimi është shkaktuar nga një raketë e dështuar e grupit Xhihadi Islamik Palestinez, por ky grup e ka mohuar përgjegjësinë.

Lajme të ngjashme