Putini e falënderon Korenë e Veriut për trupat e dërguara në luftë kundër Ukrainës
Presidenti rus, Vladimir Putin, i falënderoi trupat koreanoveriore për luftën e tyre kundër forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, pasi Koreja e Veriut të hënën e konfirmoi për herë të parë dislokimin e tyre mijëra kilometra në perëndim.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën nga Kremlini, Putini i vlerësoi lart heroizmin dhe përkushtimin e luftëtarëve koreanoveriorë, për të cilët thanë se “krahë për krahë me luftëtarët rusë, e mbrojtën mëmëdheun tonë si të tyrin”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Rusia të shtunën tha se trupat e saj e kanë rimarrë kontrollin e plotë të Kurskut, një pjesë të të cilit forcat ukrainase e kishin kapur gjatë një ofensive të befasishme vitin e kaluar. Zyrtarët ukrainas e mohuan pretendimin rus.
Zyrtarë të inteligjencës nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Ukraina kanë thënë se Koreja e Veriut ka dërguar mes 10 mijë e 12 mijë trupa në Rusi vjeshtën e kaluar në pjesëmarrjen e saj të parë në një konflikt të armatosur që nga përfundimi i Luftës Koreane të periudhës 1950 – 53. Megjithatë, Koreja e Veriut ende nuk e kishte konfirmuar apo mohuar dislokimin e trupave të saj deri të hënën.
Komisioni Qendror Ushtarak i Koresë së Veriut tha në një deklaratë që qarkulloi në mediat shtetërore se udhëheqësi i vendit, Kim Jong Un, vendosi që të dërgonte trupa luftarake në Rusi sipas një traktati për mbrojtje reciproke, të cilin ai dhe Putini e kishin nënshkruar në qershorin e vitit të kaluar.
Sipas këtij dokumenti, të dyja vendeve u kërkohet që t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion për të ofruar asistencë të menjëhershme ushtarake, nëse pala tjetër sulmohet.
Në deklaratë, Kimi citohet të ketë thënë se qëllimi i dislokimit të trupave ishte që të “asgjësohen dhe të zhduken pushtuesit ukrainas neo-nazistë dhe të çlirohet zona e Kurskut në bashkëpunim me forcat e armatosura ruse”.
“Ata që luftuan për drejtësi janë të gjithë heronj dhe përfaqësues të nderit të mëmëdheut” – shtoi ai./Nacionale