Putini e çmon Kissingerin pas vdekjes: Burrështetas largpamës, njeri i jashtëzakonshëm - NACIONALE

Putini e çmon Kissingerin pas vdekjes: Burrështetas largpamës, njeri i jashtëzakonshëm

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të enjten shprehu ngushëllime për vdekjen e ish-sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Henry Kissinger, duke thënë në një telegram dërguar të vesë së amerikanit, Nancy, se ai ishte “i mençur e burrështetas largpamës”.

“Emri i Henry Kissingerit është në mënyrë të pandashme i lidhur me një linjë pragmatike të politikës së jashtme, e cila në një kohë kishte bërë të mundshme që të arrihej ulje e pezmatimit në tensionet ndërkombëtare dhe të arriheshin marrëveshjet më të rëndësishme sovjetiko-amerikane që kontribuuan në forcimin e sigurisë globale”- tha presidenti rus, raporton agjencia “Reuters”.

“Unë e pata mundësinë që personalisht të komunikoja me këtë burrë të jashtëzakonshëm e të thellë shumë herë dhe pa dyshim që do ta ruaj kujtimin më të mirë për të”- shtoi Putini.

Kissingeri, i cili vdiq të mërkurën në moshën 100-vjeçare, kishte marrë pjesë në dialogun mes Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Sovjetik në vitet e shtatëdhjeta që çuan në traktatet e para të rëndësishme për kontrollimin e armëve bërthamore mes dy superfuqive të Luftës së Ftohtë.

Pas pesë dekadave, lufta në Ukrainë i ka rritur tensionet mes Uashingtonit e Moskës në pikën e tyre më akute që nga kriza kubane e raketave më 1962. Kremlini e ka përshkruar gjendjen e tanishme të marrëdhënieve si “nën zero”.

Lajme të ngjashme