Putini dhe kryeministri kinez e çmojnë thellimin e marrëdhënieve Rusi – Kinë
Presidenti rus, Vladimir Putin, të mërkurën i çmoi lidhjet tregtare “që po lulëzojnë” me Kinën gjatë një takimi në Moskë me kryeministrin kinez, Li Qiang, përderisa dy vendet po e fuqizojnë bashkëpunimin përballë shtimit të fërkimeve me Perëndimin.
Duke folur me kryeministrin kinez, Putini tha se “planet dhe projektet e përbashkëta të shkallës së lartë” Rusi – Kinë në fushat ekonomike dhe humanitare “do të vazhdojnë për shumë vjet”, sipas një komunikate të Kremlinit, raporton televizioni CNN.
Qiangu, zyrtari i dytë më i lartë kinez pas presidentit Xi Jinping, kishte udhëtuar në Moskë për një takim tradicional vjetor me homologun e tij rus. Takimi u përqendrua në bashkëpunimin ekonomik dhe praktik, përderisa Kremlini vazhdon që të shikojë nga Pekini për bashkëpunim ekonomik në kohën e vazhdimit të luftës së tij në Ukrainë.
Në komentet e tij ndaj Putinit, kryeministri kinez i çmoi përpjekjet e presidentëve Putin e Jinping për të “injektuar momentum të fuqishëm” në “thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh”, sipas raportimit të mediave shtetërore kineze.
Udhëtimi 4-ditor i kryeministrit Qiang, në të cilin përfshihet edhe një vizitë në Bjellorusi, aleate e Moskës, është vizita e parë në Rusi nga një zyrtar kinez i nivelit të lartë që nga koha kur lufta në Ukrainë mori një dimension të ri pas sulmit të befasishëm të forcave ukrainase në rajonin kufitar rus, Kursk, para dy javëve.
Rusia është bërë gjithnjë më e varur nga tregu, mallrat dhe investimet kineze që nga fillimi i luftës në Ukrainë, kur u godit me sanksione të gjera ndërkombëtare. Moska dhe Pekini e shohin njëri-tjetrin si kundërpeshë kyçe kundër një Perëndimi për të cilin thonë se synon që ta shtypë zhvillimin e tyre.
Në takimin e tij të mërkurën me kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, Qiangu tha se Kina është e gatshme për të punuar me Rusinë për ta fuqizuar “bashkëpunimin e gjithanshëm praktik” dhe theksoi se marrëdhëniet e dy vendeve “nuk vënë në shënjestër ndonjë palë të tretë”./Nacionale