Putin thotë se Rusia "do të përgjigjet" nëse Britania e furnizon Ukrainën me predha të uraniumit
Vladimir Putin i është përgjigjur një deklarate britanike ku thuhej se vendi do ta furnizojë Ukrainën me predha tankesh të prodhuara nga uraniumi i varfëruar.
Putin e ka komentuar këtë deklaratë duke thënë se shpërndarja e armëve të blinduara do të shkaktojë një përgjigje ruse.
Ndërkohë, nga Mbretëria e Bashkuar është thënë se do ta furnizojë Ukrainën me “armë shpuese që përmbajën uranium të varfëruar” bashkë me 14 tanket Challenger, sepse ato “konsiderohen efektive në mposhtjen e tankeve dhe mjeteve të blinduara moderne”.
Komentet për dërgimin e predhave kanë qarkulluar ditën e martë, ndërsa Putin ka dhënë përgjigjen e tij pas takimit me liderin kinez Xi Jinping.
"Nëse e gjithë kjo ndodh, rusët do të duhet të përgjigjen në përputhje me rrethanat, duke pasur parasysh se perëndimi kolektivisht tashmë ka filluar të përdorë armë me një komponent bërthamor,"- është shprehur Putin, duke mos dhënë detaje të tjera.
Megjithatë, dihet se lideri rus shpesh bën kërcënime të lidhura me luftë bërthamore, në përpjekje për të bindur vendet perëndimore që të kufizojnë ndërhyrjen e tyre në luftën që po zhvillohet në Ukrainë.
Komenteve për predha të uraniumit u është përgjigjut edhe ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu i cili ka thënë se po mbesin gjithnjë e më pak hapa deri në një “përplasje bërthamore” midis Rusisë e Perëndimit.
Këtyre kërcënimeve nga Rusia, Britania u është përgjigjur duke thënë se janë dezinformata, pasi uraniumi i varfëruar "nuk ka të bëjë me armët dhe aftësitë bërthamore", me ministrinë e Mbrojtjes që tha se ai ishte "një komponent standard" i përdorur nga ushtritë, përfshirë nga vetë Rusia.
Uraniumi i varfëruar është një nënprodukt i procesit të pasurimit që prodhon lëndë djegëse bërthamore dhe armë, dhe kështu është më pak radioaktiv se metali natyral, megjithëse ka shqetësime për toksicitetin e tij.
Produkti i këtyre mbetjeve përdoret për të prodhuar predha depërtuese sepse është 70% më i dendur se plumbi.
