Putin: Sanksionet e Perëndimit, zjarrmi që e shkatërron jetën e evropianëve - NACIONALE

Putin: Sanksionet e Perëndimit, zjarrmi që e shkatërron jetën e evropianëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka cilësuar sanksionet e Perëndimit ndaj vendit të tij për shkak të luftës në Ukrainë si zjarrmi që përbën kërcënim për tërë botën.

Në një fjalim që e mbajti në një forum ekonomik në qytetin Vladivostok, ai tha se Rusia po ia del me “agresionin” ekonomik të Perëndimit.

Sidoqoftë, presidenti rus paralajmëroi se cilësia e jetës së evropianëve po sakrifikohet me sanksione, ndërsa vendet më të varfra po e humbin qasjen në ushqim, shkruan BBC, përcjell Nacionale.

Ai gjithashtu tha se Evropa po i mashtron vendet e varfra me drithërat e Ukrainës.

Portet detare të Ukrainës ishin bllokuar me muaj nga forcat ruse, por nga rifillimi i eksporteve në fillim të gushtit, udhëheqësi rus tha se vetëm dy anije me drithëra kanë shkuar në Afrikë, që nuk është e vërtetë.

Çmimet e energjisë janë rritur dhe ministrat e BE-së do të takohen të premten për të marrë masa kundër krizës. Putini e cilësoi të ­çmendur një propozim që t’i vendoset kufi çmimeve të gazit rus.

Presidenti rus tha në forumin ekonomik se Perëndimi po mundohet që t’ua imponojë sjelljen e vet vendeve të tjera. Shumë kompani u larguan me ngut nga Rusia, por “tash po shohim se si prodhimi dhe vendet e punës në Evropë po mbyllne njëra pas tjetrës”. Sidoqoftë, edhe Rusia po i ndien pasojat e sanksioneve. Inflacioni në këtë shtet po rritet dhe kompanitë po kanë vështirësi për të importuar pjesë shumë të nevojshme.

Në fjalimin që dukej se i kishte për cak vëzhguesit perëndimorë dhe audiencën e brendshme, presidenti rus tha se besimi në dollarin, euron dhe funtën po humbet para syve të njerëzve ndërkohë, sipas tij, Rusia po del nga lufta me sovranitet të fuqizuar. “Unë jam i sigurt se nuk kemi humbur asgjë dhe nuk do të humbim asgjë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Rusia po mundohet që ta shantazhojë Evropën me burimet e saj të energjisë. “Putini dëshiron që t’i shkatërrojë stabilitetin dhe mirëqenien e secilës shtëpi në Evropë”, tha kryediplomati ukrainas.

Kryetari i Kuvendit të Kinës, Li Zhanshu, mori pjesë në këtë forum. Putini tha se “pavarësisht se sa dikush do të donte që ta izolonte Rusinë, është e pamundur për ta bërë këtë.” Agjencitë ruse të lajmeve thanë se Putini do të takohet me homologun kinez, Xi Jinping, në Uzbekistan javën e ardhshme./Nacionale

Lajme të ngjashme