Putin për luftën në Ukrainë: Gjithçka po shkon sipas planit
Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi pozitivisht "dinamikën e operacionit special ushtarak" në Ukrainë.
"Dinamika është pozitive. Gjithçka po zhvillohet në përputhje me planin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Shpresoj që ushtarët tanë të na kënaqin përsëri me rezultatet e aktiviteteve të tyre luftarake", tha Putin në një intervistë për televizionin rus, siç raportohet nga agjencia shtetërore e lajmeve Tass.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjenerallejtënant Igor Konashenkov tha të premten se trupat ruse çliruan Soledar në mbrëmjen e 12 janarit. Ai shtoi se kjo fitore do të mundësojë ndërprerjen e rrugëve të furnizimit të forcave ukrainase në Bakhmut dhe rrethimin e trupave të tyre në atë qytet.
“Situata ekonomike është e qëndrueshme”
Pasi Perëndimi vendosi sanksionet më të ashpra në historinë moderne për luftën në Ukrainë, ekonomia e Rusisë ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, por prodhuesi më i madh në botë i burimeve natyrore tani po i drejtohet gjithnjë e më shumë Kinës.
"Situata në ekonomi është e qëndrueshme", tha Putin. “Shumë më mirë, jo vetëm se çfarë parashikuan kundërshtarët tanë, por edhe ajo që parashikuam ne”, shtoi ai.
Presidenti rus tha se papunësia është një tregues kyç. "Papunësia është në një nivel historikisht të ulët. Inflacioni është më i ulët se sa pritej dhe, më e rëndësishmja, në një prirje rënëse", tha Putin. Ekonomia ruse ra në vitin 2022 nën barrën e sanksioneve, por shumë më pak nga sa parashikonin ekonomistët. Qeveria ruse parashikon që ekonomia prej 2.14 trilion dollarësh do të tkurret me 0.8 për qind në vitin 2023.
Të paktën 28 persona humbën jetën në sulmin në një ndërtesë banimi në Dnieper
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se forcat e saj nisën një valë sulmesh me raketa ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturës ukrainase të shtunën. Të paktën 28 persona u vranë në një sulm rus në një kompleks apartamentesh në qytetin lindor të Dnipro të shtunën mbrëma, thanë autoritetet ukrainase.
Ministria nuk e përmendi atë qytet si një objektiv specifik të sulmit. “Të gjitha objektet e synuara janë goditur. Objektivat e sulmit janë arritur”, thuhet në komunikatën e tyre. Rusia gjithashtu njoftoi se forcat e saj po përparonin drejt skajit verior të qytetit Bakhmut në rajonin Donetsk të Ukrainës, i cili ka qenë në qendër të sulmeve ruse për muaj të tërë. /Nacionale/