Putin: Kjo luftë mund të zgjasë
Vladimir Putin mbajti dje një takim me anëtarët e Këshillit Rus për të Drejtat e Njeriut, ku diskutuan atë që ata thonë se është "operacioni ushtarak special i Rusisë". Në takim, Putin tha se lufta në Ukrainë mund të zgjasë shumë, raporton rrjeti televiziv rus NTV.
NTV gjithashtu raportoi se Putin komentoi përdorimin e armëve bërthamore, duke thënë se ai i konsideron ato "një mjet mbrojtjeje dhe një mundësi për t'u hakmarrë".
Vladimir Putin gjithashtu u mburr se arsenali bërthamor i Rusisë është më i avancuari në botë dhe shtoi se ai nuk i "valëzon" armët bërthamore, por i sheh ato si pjesë të një strategjie për parandalimin e konfliktit.
Tema të ndaluara
Përpara mbledhjes së këshillit, i cili mbahet një herë në vit, Putin thuhet se i ndaloi anëtarët të bënin pyetje për katër tema. Dy anëtarë të këshillit i thanë gazetës së pavarur ruse të lajmeve Nestka në mënyrë anonime se ata ishin "të ndaluar" të diskutonin ligjin e ushtrisë, protestat e nënave të ushtarëve të mobilizuar, pajisjet ushtarake dhe vdekjen e rekrutit të Wagner, Yevgeny Nuzhin.
Në mars, Duma ruse miratoi një ligj të ri për ushtrinë, sipas të cilit caktoheshin burgime deri në 15 vjet për këdo që përhap "lajme të rreme për ushtrinë".
Putini zgjodhi personalisht anëtarët e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në nëntor, pasi shkarkoi Igor Kalyapin, aktivistin e të drejtave të njeriut dhe themeluesin e "Komitetit Kundër Torturës", dhe gazetarin Nikolai Svanidze, ndër të tjera, njoftoi agjencia e pavarur e lajmeve MediaZon. /Nacionale/