Putin dhe Erdogan do të takohen muajin e ardhshëm në Soçi
Presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë një takim me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan në vendpushimin e Soçit në Detin e Zi më 5 gusht, raporton agjencia e lajmeve Interfax.
Të dy krerët do të diskutojnë problemet rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe, njoftoi agjencia.
Takimi i dytë në një muaj
Erdogan luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të nënshkruar nga Rusia dhe Ukraina në Stamboll javën e kaluar, duke lejuar që eksportet ukrainase të grurit të vazhdojnë përmes Detit të Zi. Ky është takimi i dytë i dy liderëve brenda një muaji.
Putin dhe Erdogan folën për herë të fundit në një samit në kryeqytetin iranian Teheran më 19 korrik. Në atë kohë, tema kryesore ishte situata në Siri, ku Ankaraja dhe Moska kanë qëndrime të ndryshme për çështjen e luftës.
Në takimin në Soçi, përveç Sirisë, në agjendë duhet të jetë edhe Ukraina. /Nacionale/

